Një ngjarje e rëndë tronditi Pawtucket, Rhode Island, pasi një 56-vjeçar hapi zjarr gjatë një ndeshjeje hokeji në akull në një arenë lokale, duke vrarë ish-bashkëshorten dhe djalin e tyre 23-vjeçar, si dhe duke plagosur disa persona të tjerë. Autoritetet konfirmuan se i dyshuari, Robert Dorgan, ndërroi jetë nga plagë të vetëshkaktuara me armë zjarri.
Sipas policisë, sulmi ndodhi në Lynch Arena, ku po zhvillohej një aktivitet sportiv i shkollës së mesme. Kamerat e sigurisë tregojnë se Dorgan kishte hyrë dhe dalë nga arena para se të rikthehej i armatosur. Ai përdori dy armë zjarri, një Glock 10mm dhe një SIG Sauer P226, të cilat rezulton t’i kishte siguruar ligjërisht.
Viktimat janë identifikuar si ish-bashkëshortja e tij, Rhonda, dhe djali i tyre i madh, Aidan Dorgan, 23 vjeç. Mes të plagosurve janë edhe dy të afërm të familjes si dhe një mik i tyre. Autoritetet e cilësuan ngjarjen si një akt të synuar, të lidhur me dhunë në familje, ndërsa motivi i plotë mbetet nën hetim.
Një dëshmitar, Michael Black, i cili ndodhej në tribunë për të ndjekur ndeshjen, ndërhyri në momentin e sulmit duke tentuar të neutralizojë autorin. Ai arriti të kapte armën, duke penguar që të qëlloheshin plumba të tjerë, por pësoi lëndime në dorë dhe në fytyrë gjatë përleshjes.
Pas ngjarjes, në rrjetet sociale u zbuluan postime dhe fotografi të lidhura me të dyshuarin, përfshirë përmbajtje me simbole të lidhura me ideologji ekstremiste dhe mesazhe me gjuhë urrejtjeje. Organizata që monitorojnë simbolet e urrejtjes kanë theksuar se disa nga elementët e shfaqur në tatuazhet e tij lidhen historikisht me lëvizje neo-naziste.




