Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një burg në shtetin e Uashingtonit, ku një i burgosur ka vrarë shokun e qelisë pasi ka zbuluar se ai ishte personi që, vite më parë, kishte përdhunuar motrën e tij kur ajo ishte e mitur. Bëhet fjalë për Shane Goldsby, i cili u shpall fajtor për vrasjen e të dënuarit 70-vjeçar Robert Munger në ambientet e Airway Heights Corrections Center.
Sipas autoriteteve amerikane, ngjarja ka ndodhur më 2 qershor 2020 dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë së burgut. Goldsby, në atë kohë 25 vjeç, kishte reaguar pasi kishte kuptuar se po ndante të njëjtën qeli me njeriun që kishte abuzuar seksualisht motrën e tij të vogël në të kaluarën.
Robert Munger po vuante një dënim 43-vjeçar për krime të rënda seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë përdhunim, ngacmim seksual dhe posedim të materialeve me përmbajtje pedofilike. Goldsby, nga ana tjetër, ndodhej në burg për vjedhjen e një automjeti policie.
Sipas dëshmive të dhëna më vonë, Goldsby kishte kërkuar disa herë të transferohej në një qeli tjetër sapo kuptoi me kë ishte vendosur, por kërkesat e tij nuk u morën parasysh. Ai ka deklaruar gjithashtu se kishte shtypur butonin e emergjencës në qeli para incidentit, por asnjë gardian nuk kishte reaguar.
Situata, sipas tij, ishte përkeqësuar edhe më tej kur Munger kishte filluar të fliste hapur për krimet e tij, duke përshkruar detaje që, sipas Goldsby, e kishin çuar në një gjendje të rëndë psikologjike.
Një hetim i brendshëm zbuloi se, për shkak të mbiemrave të ndryshëm dhe mungesës së informacionit të plotë në sistem, autoritetet e burgut nuk kishin identifikuar lidhjen familjare mes Goldsby dhe viktimës së krimeve të mëparshme seksuale. Washington Department of Corrections e përshkroi rastin si një incident të ndërlikuar dhe fatkeq, duke pranuar se protokollet e vendosjes së të burgosurve në qeli nuk funksionuan siç duhej.
Në gusht të vitit 2021, Goldsby u dënua me 298 muaj burg, afro 25 vjet shtesë, për vrasjen. Gjatë seancës gjyqësore, ai shprehu pendesë ndaj familjes së viktimës, përmes një deklarate të lexuar nga avokati i tij, duke kërkuar falje për pasojat e veprimeve të tij.
Gjatë procesit gjyqësor doli në pah edhe e kaluara e vështirë e Goldsby, i cili kishte përjetuar abuzime të rënda në fëmijëri, ishte rritur në familje kujdestare dhe kishte pasur probleme të vazhdueshme me drogën dhe shëndetin mendor.




