Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shkencor në California, pasi astrofizikani i njohur Carl Grillmair u gjet i qëlluar për vdekje në verandën e shtëpisë së tij në Llano, rreth 75 milje në veri të Los Angeles.
Sipas autoriteteve, 67-vjeçari kishte marrë një plagë fatale me armë zjarri në pjesën e sipërme të trupit. Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje pas një telefonate në 911 rreth orës 06:00 të mëngjesit, por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai u shpall i vdekur në vend.
Pas ngjarjes, policia arrestoi 29-vjeçarin Freddy Snyder, i cili u akuzua për vrasje. Ai përballet gjithashtu me akuza të tjera për grabitje me dhunë dhe hyrje të paligjshme në një incident të ndodhur në fund të dhjetorit. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse ekzistonte ndonjë lidhje mes të dyve apo cili mund të ketë qenë motivi.
Grillmair ishte studiues në California Institute of Technology, ku punonte në Qendrën e Përpunimit dhe Analizës Infra të Kuqe. Ai njihej për kontributet në astronominë galaktike, kërkimet mbi materien e errët, strukturën e galaktikave dhe ekzoplanetët.
Zbulimi i tij për praninë e ujit në një planet jashtë sistemit tonë diellor u konsiderua një hap i madh drejt kuptimit të kushteve të mundshme për jetë jashtëtokësore. Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, ai punoi edhe si hetues kryesor në projektet e Hubble Space Telescope dhe u nderua me medalje për arritje të jashtëzakonshme shkencore nga NASA. Kolegët e përshkruan si një mentor dhe mik të çmuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit vijojnë.


