Këngëtarja mbështetëse e grupit të famshëm, “One Direction”, ka ndërruar jetë tragjikisht në moshën 26-vjeçare, pasi u godit në një aksident rrugor.
Amerikania Camryn Magness u godit teksa po ecte me një skuter elektrik. Ajo mbështeti “One Direction” në turneun e tyre “Up All Night”, në vitin 2011.
Më vonë, ajo u ribashkua me grupin për 63 shfaqje të shitura në turneun e tyre, “Take Me Home”, në vitin 2013 nëpër Evropë.
Mediat e huaja shkruajnë se, ylli vdiq në aksidentin shkatërrues rrugor të premten e kaluar (5 dhjetor), pasi u godit në Fort Myers, Florida. Vdekja e 26-vjeçares u njoftua në faqen e saj zyrtare në mediat sociale, së bashku me një video të Magness duke notuar në oqean me një kostum zhytjeje.

“Zemrat tona janë të thyera ndërsa vajtojmë humbjen e Camryn-s tonë të dashur, një forcë rrezatuese, zëri dhe shpirti i ndritshëm i së cilës preku kaq shumë njerëz. Ajo do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona”, shkruhet në postimin në rrjetet sociale, ku gjithashtu u kërkohet ndjekësve që të luten për familjen dhe miqtë e saj që të përballojnë këtë kohë të vështirë.
Camryn ishte 8 vjeçe kur nisi që në “YouTube” të postonte këngët e saj. Ajo siguroi një kontratë diskografike dhe u transferua në Los Angeles – dhe kënga e saj e parë “Wait and See” u shfaq në filmin e vitit 2011 “Judy Moody and the Not Bummer Summer”.
Ylli la pas të fejuarin e saj Christian, prindërit e saj Sarah dhe Gary, dhe vëllezërit e motrat Chelsea dhe Cable.

