Larg zhurmës së qyteteve, trafikut dhe ritmit të vrullshëm të jetës moderne, një çift ka zgjedhur të jetojë prej më shumë se dy dekadash në një ishull të vogël kroat, ku nuk ka dyqane, restorante apo rrugë, por vetëm natyrë të paprekur dhe qetësi.
Werner dhe bashkëshortja e tij, Ana, jetojnë prej 21 vitesh në ishullin Mali Srakane, një nga ishujt më të izoluar të Kroacisë. Vendimi për t’u shpërngulur atje u mor fillimisht për arsye shëndetësore, pasi djali i tyre vuante nga astma dhe mjekët i rekomanduan një mjedis pranë detit.
Sipas çiftit, kur mbërritën në ishull, jeta ishte shumë ndryshe. Banorët merreshin me bujqësi, prodhonin verë dhe kultivonin perime, ndërsa atmosfera ruante ende mënyrën tradicionale të jetesës.
Në Mali Srakane nuk ka rrugë automobilistike dhe tingulli i vetëm që kujton qytetërimin janë kambanat e kishës, të cilat bien gjatë festave fetare ose në raste emergjente për të njoftuar banorët e ishullit fqinj, Veli Srakane.
Edhe në Veli Srakane jetojnë vetëm tre persona. Mes tyre është edhe Igor Rukavina, i cili thotë se jeta pa stres është arsyeja kryesore pse nuk do ta ndërronte ishullin me qytetin. “Në qytet zhurma, trafiku dhe turmat janë bërë problem për ne. Këtu kemi ritmin tonë dhe jetojmë shumë më të qetë”, shprehet ai.
Banorët tregojnë se, megjithëse ishujt kanë energji elektrike, ujë dhe internet, mungon lidhja fizike me tokën. Megjithatë, sipas tyre, këto vështirësi janë të përballueshme.
Sfida më e madhe mbetet natyra. Periudhat e thata shpesh shkaktojnë mungesë uji dhe dëmtojnë prodhimet bujqësore. Në disa sezone ata nuk arrijnë të kultivojnë fruta si shalqiri, duke u përqendruar te kultura që kërkojnë më pak ujë, si domatet, specat dhe bishtajat. Për Wernerin, Anën dhe fqinjët e tyre, jeta në këtë ishull të vogël është një “oaz lumturie”, ku qetësia dhe kontakti i përditshëm me natyrën vlejnë më shumë se komoditetet e qytetit.

