Hetimet për vrasjen e 39-vjeçarit Briken Sanaj në zonën e njohur si Kodra e Diellit në kryeqytet, janë përqëndruar më së shumti te një konflikt që ka pasur vëllai i tij para disa vitesh me një familje në Lezhë. Gjithsesi policia po kalon në sitë dhe të gjitha dyshimet e tjera, që mund të lidhen me ndonjë konflikt të mundshëm që ka pasur vetë viktima apo aktiviteti me të cilin merrej ai.

Briken Sanaj kishte një vit që ishte kthyer nga Italia dhe të dielën ai ndodhej në Lezhë, pasi martonte shokun e ngushtë. Gazetari i Top News, Eduart Halili, ka treguar për Gazeta Shqip dinamikën e ngjarjes së rëndë, referuar grupit hetimor. Në vendin ku ndodhi krimi, ai ka shkuar së bashku me dhëndrrin dhe një shok tjetër, për të ulur gjërat e dasmës. Në momentin kur është qëlluar me armë zjarri, viktima ka qenë në pjesën e bagazhit të makinës, ndërsa dy shoket te dera e garazhit të shtëpisë që ishte e marrë me qira nga dhëndrri.

Sipas pamjeve filmike të kqyrura deri më tani, ka qenë një autor i vetëm në momentin e të shtënave, i cili afrohet pranë makinës së viktimës dhe qëllon 4 herë me kallashnikov. Dy nga plumbat e kanë kapur viktimën në kokë dhe në shpinë, duke dalë tejpërtej. Autori me një çantë të zezë ku kishte fshehur armën, largohet nëpërmjet disa shkurreve, pasi kishte çarë një pjesë të rrethimit të banesës.

Dyshohet se ai është ndihmuar nga persona të tjerë, teksa një makinë tip Benz me targa të vjedhura në kryeqytet, është gjetur e djegur në zonën e Qafë Kasharit.

Identifikimi i personit që hapi zjarr në vendin e ngjarjes është i vështirë, për shkak se kamerat e sigurisë kanë kapur shumë pak momente nga krimi, teksa duket vetëm flaka e Kallashnikovit kur hapet zjarr. Në fakt vetë shtëpia ka qenë e pajisur me kamera, por ato nuk kanë qenë funksionale sepse i mungonte DVR-ja, ç’ka bën që të mos jetë regjistruar pamja kryesore e atentatit.

Briken Sanaj njihej gjithashtu me emrin Anton Gjini. Ndonëse ai vetë nuk rezulton person me precedent penal, vëllai I tij para disa vitesh ka plagosur një person në Lezhë, pasi kishin konflikt me një familje të zonës.