Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e Eglant Koçit, një ngjarje që sipas autoriteteve u pasua nga një operacion i mirëorganizuar për fshehjen e trupit dhe zhdukjen e gjurmëve.
Sipas të dhënave hetimore, pas ekzekutimit të 4 qershorit në ambientet e lokalit dhe zyrave pranë shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë, Armand Shakaj dyshohet se ka ndërmarrë një sërë veprimesh për të larguar trupin e viktimës nga vendi i krimit.
Një ditë më vonë, më 5 qershor, ai dyshohet se ka transportuar trupin e pajetë në automjetin tip “Porsche” të Koçit. Për të shmangur dyshimet, automjeti është lëvizur me karrotrec drejt zonës së Ibës. Burime nga hetimi bëjnë me dije se drejtuesit të mjetit transportues i është thënë se makina po dërgohej për riparim në servis.
Pas kësaj, Shakaj dyshohet se ka vijuar lëvizjen drejt zonave malore të Elbasanit, duke ndjekur një itinerar pak të njohur dhe larg rrugëve kryesore. Hetuesit besojnë se ai kishte njohuri të mira për terrenin, pasi frekuentonte shpesh zonën për aktivitete me motorë në natyrë.
Rruga e ndjekur kalonte përmes fshatrave Mollagjesh dhe Funar, përpara se të hynte në një territor të pyllëzuar dhe të vështirë për t’u aksesuar. Sipas burimeve, udhëtimi ka zgjatur rreth tre orë e gjysmë deri në afërsi të Majës së Korrës, një zonë e izoluar malore.
Pavarësisht terrenit të thyer dhe kushteve të vështira, ai dyshohet se ka arritur deri në një nga pikat më të larta të zonës. Aty, sipas hetimeve, trupi i Eglant Koçit është nxjerrë nga automjeti dhe është hedhur në një humnerë, me bindjen se vendndodhja e largët dhe e paarritshme do ta bënte pothuajse të pamundur zbulimin e tij.
Megjithatë, hetimet nuk u ndalën. Specialistët e kriminalistikës theksojnë se edhe planet më të kujdesshme lënë pas gjurmë, dhe pikërisht këto gjurmë orientuan policinë drejt zonës ku u gjet trupi.
Një nga elementët kyç të hetimit rezultoi telefoni celular i Armand Shakajt. Edhe pse pajisja ishte hedhur më vonë, ekspertët arritën të rindërtonin lëvizjet e tij përmes analizave teknike dhe lokalizimit të sinjalit të fundit të regjistruar.
Paralelisht me provat teknologjike, hetuesit siguruan informacione edhe nga banorë të zonës. Dëshmi të mbledhura në rrugë operative treguan se automjeti i Shakajt ishte parë duke kaluar në disa prej fshatrave që çonin drejt zonës malore ku më pas u përqendruan kërkimet.
Kombinimi i provave teknike dhe dëshmive në terren çoi autoritetet në zonën e Cërrujës, ku pas ditësh kërkimesh intensive u bë e mundur gjetja e trupit të Eglant Koçit dhe avancimi i mëtejshëm i hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
