Ardian Çapja për herë të tretë ka dalë i gjallë nga një atentat që ishte organizuar mirë ndaj tij, por pa fundin e pritur për autorët. Këta të fundit prej një jave studionin në distancë të gjitha lëvizjet e Çapjas, por edhe personave të tjerë që ishin në rezidencën e tij, pak larg zonës së Krastës në dalje të qytetit të Elbasanit.


Autorët, që mendohet të kenë qenë 5 në një makinë janë afruar afër hotelit Univers pronë e Çapjave. Ata e dinin mjaft mirë se e gjithë shtëpia dhe hoteli kishin kamera sigurie, deri në rrugën nacionale, ndaj menduan të qëllojnë nga makina me një distancë 250 deri në 300 metra me një armë spajper, që do u siguronte ekzekutimin e të shënjestruarit.


Policia e ka ta qartë tashmë se çfarë ndodhi sot rreth orës 09:25 minuta në shtëpinë e Ardian Çapjas, në të cilën ai u qëllua me armë nga largësia me qëllim eliminimin fizik. Në drejtim të tij u qëllua prej kodrës së Krastës nga një largësi e pazakontë për armë të thjeshta.


Bëhet fjalë për një snajper mjaft të avancuar, i cili u gjet i djegur në makinën e braktisur të atentatorëve disa minuta pasi tentuan të vrisnin objektivin e tyre.


Bëhet fjalë për një snajper, “Sako TRG M10 .338 Lapua Magnum”, 27 mm, prodhuar në Finlandë, i cili njihet botërisht për saktësinë e tij për shenjestrimin e objektivave disa qindra metra larg.


Policia ka zbuluar se Ardian Çapja u qëllua nga 250 metra largësi me një snajper që mund të vrasë deri në 800 metra. Për fatin e tij, plumbi i lëshuar e kapi në shpatull duke i shkaktuar një plagë të madhe.


Arma e përdorur në atentatit ndaj Çapjas me një kërkim të thjeshtë në google kushton nga 6500 deri në 10 000 dollarë në tregun e rregulluar të armëve, ndërsa mendohet se në tregun e zi ai shkon edhe më tepër. Vetë kostoja e kësaj arme tregon se atentati ndaj Ardjan Çapjas është i mirëorganizuar dhe financuar nga personazhe me fuqi financiare.