Operacioni “Forca e Ligjit” prej 31 janarit e deri më tani, duke përjashtuar muajt mars-prill-maj të pandemisë së Covid 19 ka dërguar shumë formularë për persona, pasuria e të cilëve ka qenë e pajustifikuar, ose e vendosur përmes aktivitetit kriminal.


Pasuritë e sekuestruara përmes ndryshimeve ligjore në fazën e parë kalojnë në gjykatë e pas vendimit të kësaj të fundit kalojnë tek Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Është Agjencia ajo që kontrollon, emëron dhe monitoron punën e administratorëve të pasurive të sekuestruara.


Një gjë tjetër e rëndësishme në ligj, lidhet me destinimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, ku parashikohet që një përqindje e konsiderueshme e tyre të futet në përdorim, të vihet në dispozicion të luftës kundër krimit.


Kjo do të thotë që një pjesë e madhe e këtyre aseteve, përmes vendimeve përkatëse të Komitetit Ndërinstitucional dhe Agjencisë, t’i kalojnë Policisë së Shtetit, e cila do t’i përdorë një pjesë të tyre, në luftën kundër krimit të organizuar, qoftë si asete, qoftë si financa dhe si mjete të tjera.


Një gjë tjetër me rëndësi është se në Komitetin Ndërinstitucional në drejtimin për masat kundër krimit të organizuar, pra që merret në thelb me drejtimin e veprimtarisë së Agjencisë, shtohet edhe përfaqësuesi i drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur e mbi të gjitha dyshimet se pasuria e sekuestruar tjetërsohet për qëllime të tjera janë të mëdha.


Një gjë tjetër po ashtu e rëndësishme është fakti që punonjësit që do të përfshiheshin në luftën kundër krimit të organizuar, do të kishin mundësi edhe të shpërbleheshin financiarisht nga burimet e gjeneruara prej këtij procesi, deri në një masë 5 për qind, gjë që as kjo nuk ka ndodhur, duke shënuar një tjetër shkelje të ligjit.


Janë mbi 400 punonjës policie që ruajnë thjesht prova materiale, që në fakt nuk janë prova, por pasuri krimi, e për të cilat shteti investon, por pa përfituar asgjë prej tyre. Ndonëse detajet e ligjit për OFL janë të qarta, zbatueshmëria për mosfunksionim të hallkave Polici-SPAK-Gjykatë ngrenë dyshime të forta se kaosi disa vjeçar me këto pasuri do të vijojë.



©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.