Hetimet për ngjarjen tragjike të ndodhur në Maliq, ku mbeti i vrarë efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri, kanë sjellë në dritë detaje të reja mbi operacionin policor dhe dinamikën e përplasjes së armatosur.

Prokuroria e Korçës bëri të ditur se Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj Violant Braçellarit, i cili përballet me akuza të rënda që lidhen me vrasjen e një punonjësi policie, plagosjen e një tjetri, si dhe armëmbajtjen pa leje.

Sipas dosjes hetimore, operacioni i zhvilluar më 4 qershor në zonën malore të Bodesë kishte si objektiv lokalizimin dhe arrestimin e Braçellarit, një person i dënuar më parë për trafik narkotikësh, i cili prej vitesh i ishte shmangur ekzekutimit të vendimit penal.

Nisja e aksionit, sipas organit të akuzës, u mbështet edhe në një denoncim të bërë nga një 32-vjeçar, i cili kishte punuar për disa ditë në pronat e Braçellarit. Ai pretendoi se ishte kërcënuar dhe dhunuar fizikisht prej tij, duke sinjalizuar praninë e armëve dhe sjelljen e dhunshme të të kërkuarit.

Në orët e para të mëngjesit të 4 qershorit, forcat e policisë rrethuan zonën ku ndodheshin stallat dhe objektet e përdorura nga Braçellari. Sipas hetimeve, gjatë afrimit të efektivëve ka nisur menjëherë një shkëmbim zjarri, ku autori i dyshuar ka qëlluar në drejtim të policisë.

Nga breshëritë e armës humbi jetën Enea Mekolli, ndërsa Edison Adri mbeti i plagosur rëndë. Prokuroria thekson se efektivët ishin të pajisur me uniforma dhe mjete identifikuese të policisë, çka sipas saj tregon se autori kishte dijeni se po përballej me forcat e rendit.

Sipas materialeve hetimore, të shtënat kanë vijuar edhe pasi policët u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë kolegut të plagosur, ndërkohë që autorit i bëheshin thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar. Vetëm pas plagosjes së tij gjatë shkëmbimit të zjarrit, Braçellari u neutralizua dhe u arrestua pranë zonës së ngjarjes.

Ekspertizat paraprake tregojnë se Mekolli ka pësuar plagë fatale në pjesën e kraharorit, ndërsa Adri është goditur në kokë, duke marrë dëmtime të rënda.

Në vlerësimin e saj, Prokuroria e konsideron Braçellarin një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke iu referuar të kaluarës së tij kriminale dhe faktit se për një periudhë të gjatë kishte shmangur zbatimin e vendimeve gjyqësore.

Ndërkohë, hetimet nuk po kufizohen vetëm te veprimet e autorit të dyshuar. Prokuroria ka nisur verifikime edhe për mënyrën se si është organizuar operacioni policor, duke shqyrtuar nëse gjatë planifikimit apo drejtimit të aksionit mund të ketë pasur shkelje procedurale ose përgjegjësi nga hallka të ndryshme drejtuese. Kjo pistë mbetet ende nën hetim dhe pritet të zbardhet në vijim të procesit.