Një skandal në shkallë të gjerë pritet të dalë për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri. Si një institucion që supozohet të sigurojë qytetarët që çfarë hanë e pinë shkon paralel me shëndetin e mirë të tyre, AKU duket se ka bërë totalisht të kundërtën.

Qendra Alert ka siguruar raportin paraprak nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që pritet të nxjerrë në shesh skandalet korruptive të këtij Autoriteti.

Në mesin e skandaleve në të cilat institucioni është përfshirë është ajo e vezëve pas ngordhjes së shpendëve në disa stabilimente, tregtimit të vezëye të Klasit B për konsum tavoline, si dhe mosbërja e inspektimeve, kontrolleve dhe bllokimeve të bizneseve që kanë shkelur rreguat.

Alert bën të ditur gjithashtu se kanë munguar kitet nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për të kryer analizat CPR.

Në raportin paraprak të KLSH, bëhet fjalë për një hetim të periudhës kohore nga 1 janari i vitit 2020 deri në 31 dhjetor të 2022. Në hulumtimin e bërë dalin hapur faljet e gjobave shumëmilionëshe të AKU ndaj subjekteve që kanë pasur parregullsi.

Tjetër skandal nga ky Autoritet, ka të bëjë me emërimin e drejtorëve, inspektorëve apo kryeinspektorëve që nuk kanë arsimin përkatës për këtë fushë. Në raportin e KLSH pritet të dalin të gjitha parregullësitë, emrat e inspektorëve, drejtorëve dhe të gjithë atyre që kanë abuzuar me sigurinë ushqimore të qytetarëve shqiptarë.