Analisti Aleksandër Çipa ka bërë një analizë të rezultatit katastrofik të PD në këto zgjedhje duke dhënë dhe arsyet e dështimit të tyre përballë partisë në pushtet.
Në një lidhje Skype për Top News, Çipa shprehet se premtimet e hiperbolizuara nga ana e opozitës si dhe rikthimi i Berishës në krye të PD, ka qenë dy në mesin e disa arsyeve të këtij rezultati.
“Ka disa këndvështrime dhe interpretime të ndryshme. E para, PS zotëronte një aset dhe një strukturë që mishëron një lloj sistemi elektoral që nuk e kanë kundërshtarët politikë të saj. Pavarësisht se këtu një pjesë e mirë e kritikëve të procesit, e sidomos edhe opozitaristët, përfshijnë edhe ndikimin e drejtëpërdrejtë të dimensionit të korrupsionit zgjedhor, abuzivizmin me asetet e administratës publike dhe institucioneve shtetërore dhe me përdorimin e disa metodave që përgjithësisht janë stigmatizuar përmes fjalës, le të themi patronazhistëve etj. Ky është këndvështrimi që shihet nga opozitarizmi dhe kriticizmi elektoral.
Por mendoj që janë dhe dy aspekte substanciale, që janë për t`u vlerësuar: E para, opozita nuk ia doli që të fitonte kapacitetet e ballafaqimit, ekuivalent me shumicën socialiste. Dhe këtu opozita nuk e pati kohën të dilte nga një krizë 3-vjeçare në nivele të larta të udhëheqësisë së saj. Dhe faktori i dytë që duhet të marrë në konsideratë në mënyrë të pashmangshme, është arsyeja e rikthimit të udhëheqësit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, me pretendimin se do ta udhëheqë opozitën, duke refuzuar edhe zhvillimin dialektit njerëzor, edhe kohëndenjen në atë që quhet status-quo politike të tij në ndryshimin e PD dhe opozitës në përgjithësi. E treta është që padyshim opozita bëri dy gabime taktike për sa i përket fushatës: ofroi një program dhe projekt elektoral të hiperbolizuar, duke thënë se do merrte përsipër të zgjidhte çështje të mëdha sociale, si skema e pensioneve, për pagat e punonjësve në sektorët publikë, si arsim e shëndetësi. Nuk ofroi një alternativë realiste. Në Shqipëri pensione 750 euro, apo rroga të mësuesve apo infermierëve deri në 1500 euro kam përshtypjen që nuk respekton dijeninë për atë që quhet sistemi financiar në një shoqëri dhe vend i vogël sic është Shqipëria.
Këto premtime të hiperbolizuara përcillen me një reflektim maturues dhe inteligjent nga votuesit, se ata janë në dijeni sac janë dhe ata që tentojnë të bëjnë propagandë. Premtimet e pamishërueshme në politikë shpesh bëhen ndëshkim në reagimin e elektoratit, aq më tepër të një elektorati që mbetet në shtresat e margjinalizuara të popullsisë dhe që ka nevojë për çdo qindarkë të mundshme që rrjedh prej financës publike,” tha Çipa