Një artikull i publikuar nga The Telegraph trajton një fenomen që sipas medias britanike po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë në Mbretërinë e Bashkuar, ku disa shtetas shqiptarë të përfshirë në trafik droge po pretendojnë se janë viktima të “skllavërisë moderne” në përpjekje për të shmangur dëbimin.

Sipas raportimit, këta persona kanë paraqitur ankesa në gjykatat e emigracionit, duke argumentuar se janë detyruar nga grupe kriminale të kryejnë veprat penale dhe se rikthimi në Shqipëri do t’i ekspozonte ndaj rrezikut.

Në dy rastet më të fundit, gjykatat e larta të emigracionit kanë vendosur rihapjen e çështjeve, pasi kanë konstatuar gabime ligjore në vendimet e mëparshme. Për pasojë, të dy individët kanë arritur të qëndrojnë përkohësisht në Britani deri në një shqyrtim të ri.

Ndërkohë, ministrja britanike e Brendshme, Shabana Mahmood, ka paralajmëruar një valë dëbimesh për mijëra emigrantë të paligjshëm dhe persona me precedentë penalë, përpara se ata të mund të përdorin argumente të lidhura me të drejtat e njeriut për të penguar largimin nga vendi.

Autoritetet britanike kanë përfshirë Shqipërinë mes 25 vendeve që konsiderohen “të sigurta”, drejt të cilave synohet kthimi i shpejtë i azilkërkuesve të refuzuar dhe i personave të dënuar për vepra penale. Paralelisht, qeveria po shqyrton ndryshime në ligjet për skllavërinë moderne, me qëllim kufizimin e pretendimeve të paraqitura në momentet e fundit. Sipas planit, kërkesa të tilla do të duhet të depozitohen menjëherë pas mbërritjes në Britani.

Të dhënat tregojnë se shqiptarët renditen si kombësia e katërt më e shpeshtë që deklarojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, me rreth 2 mijë raste të regjistruara gjatë vitit të kaluar. Para tyre qëndrojnë shtetasit britanikë, eritreanët dhe vietnamezët.

Dokumentet gjyqësore përmendin rastin e një 30-vjeçari shqiptar, i cili arriti të shmangë përkohësisht dëbimin pasi pretendoi se ishte trafikuar. Ai ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2014 dhe kishte kaluar disa vite në Francë dhe Belgjikë duke punuar për një grup kriminal, përpara se të dërgohej në Britani për të punuar në një shtëpi të përdorur për kultivimin e kanabisit.

Pas arrestimit, ai deklaroi se ishte detyruar të punonte kundër vullnetit dhe se kishte frikë për jetën në rast kthimi në Shqipëri, për shkak të borxheve ndaj personave që e kishin trafikuar. Edhe pse Ministria e Brendshme britanike pranoi mundësinë që ai të kishte qenë viktimë, kërkesa për azil u refuzua fillimisht, duke u vënë në dyshim besueshmëria e tij, pasi nuk kishte kërkuar mbrojtje në Francë apo Belgjikë. Megjithatë, apelimi i tij u pranua, pasi gjykata vlerësoi se pretendimet nuk ishin shqyrtuar në mënyrë të plotë.

Në një tjetër rast, një shtetas shqiptar që kishte hyrë në Britani në moshën 17-vjeçare u dënua me 40 muaj burg për posedim kokaine me qëllim shpërndarjen, përdorim dokumentesh false dhe drejtim automjeti pa siguracion. Edhe ai pretendoi se ishte viktimë e skllavërisë moderne dhe se rrezikonte hakmarrje nëse kthehej në Shqipëri. Edhe pse kërkesat e tij u refuzuan fillimisht, çështja u rikthye për rishqyrtim për shkak të gabimeve procedurale në vendimet e mëparshme.

Sipas The Telegraph, raste të tilla kanë nxitur debat mbi mënyrën se si ligjet për të drejtat e njeriut dhe skllavërinë moderne po interpretohen dhe përdoren në proceset e emigracionit, duke vonuar në disa raste procedurat e dëbimit nga Mbretëria e Bashkuar.