
Shqipëria ka humbur gjyqin në Gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit ndaj kompanisë “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, e përfaqësuar nga Francesco Becchetti dhe tashmë po bën gati pagesën e faturës së majme që do të rëndojë jo pak mbi taksapaguesit shqiptarë. Fatura është e majme rreth 110 milionë euro.
Kjo faturë për shqiptarët ishte si një rrufe në qiell të hapur, pasi ishin të sigurt se shuma për Becchetin nuk do të paguhej dhe se për këtë garancinë e kishte dhënë i përhershmi, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
Më 24 mars do të ishte pikërisht Ahmetaj që nga një studio televizive, konkretisht në emisionin “Opinion” do të deklaronte se Beccheti nuk do të merrte asnjë lek. “A është e vërtetë se qeveria duhet të paguajë urgjent 140 mln dollarë Becchetit?”, ishte kjo pyetja në emision në adresë të Ahmetaj.
Dhe Tigri i PS-së, menjëherë e mohoi, duke u shprehur me vendosmëri: Ça e keni këtë histori!? Asnjë kokërr leku nuk do të marrë! Asnjë kokërr leku nuk do të marrë”. Vetë Ahmetaj u shpall i sigurt për këtë qëndrim të tijin, por disa muaj më vonë, rezultoi se deklarata e tij ishte një mashtrim i fortë publik.
Kjo pasi ministria e Financave, 4 muaj nga deklarata e fortë Ahmetajt, Ministria e Financave pasqyroi në raportin e fundit për zbatimin 6 mujor të Buxhetit të Shtetit, detyrimin prej 109,5 milionë eurosh ndaj palëve që kanë paditur shtetin shqiptar, ku 99,5 milionë euro do t’i përfitojë biznesmeni italian.
Kjo është faktuar tashmë dhe në dokumentin e paraqitur në Parlament, me aktin normativ të rishikimit të buxhetit. Nga fatura totale që qeveria shqiptare do të paguajë, si pasojë e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare, biznesmeni italian, Franccesco Beccheti do përfitojë 99,5 milionë euro për shpronësimin e padrejtë të paditësit, ndërsa 311 mijë euro janë pagesa që qeveria jonë është e detyruar të bëjë si palë humbëse në këtë proces gjyqësor.
Nuk është hera e parë që Ahmetaj bën këto deklarata në formë piruetash. Kujtojmë këtu deklaratat e tij në lidhje me rindërtimin apo dhe për pastrimin e inerteve nga zonat e dëmtuara brenda 6 ditëve. Të gjihë këto deklarata manipulimi, si dhe mashtrimi, natyrshëm kanë një kosto ndaj mazhorancës përballë shqiptarëve. Kjo për faktin se mazhoranca duhet të përballet së shpejti në zgjedhjet parlamentare.
Tashmë për këtë faturë mashtrimi përgjegjësinë duhet ta mbajë si kosto vetë ministri Arben Ahmetaj, për deklaratën e lëshuar në mënyrë publike, duke dalë si garant se “Beccheti nuk do të marrë asnjë kokërr leku”, duke dhënë dorëheqjen. Përgjegjësia e Ahmetaj lidhet dhe me faktin se ai ka qenë edhe ministër i Financave pjesën më të madhe qeverisjes së socialistëve.

