Gazeta The Sun ka publikuar një investigim mbi vrasjen e shqiptarit Bekim Halilaj, duke zbuluar detaje tronditëse për mënyrën se si anëtarë të bandave shqiptare ekzekutohen nga bashkëpunëtorët e tyre për çështje të trafikut të drogës.
Sipas raportimit të The Sun, Halilaj u ekzekutua pasi kishte humbur një ngarkesë narkotikësh, rreth tetë vjet pasi ai ishte përfshirë në një operacion të madh trafiku që kishte “përmbytur” qytetin Southampton me kokainë me vlerë 4 milionë paund.
Një skenë makabre tronditi kalimtarët në Bruksel, të cilët në fillim menduan se trupi i përgjakur që varej nga një tabelë anës rrugës ishte një zbukurim për Halloween. Vetëm kur iu afruan, kuptuan se bëhej fjalë për një njeri të vërtetë — shqiptarin Bekim Halilaj, 29 vjeç.
Sipas mediave britanike, Halilaj besohet se u vra si ndëshkim për humbjen e një dërgese droge, tetë vjet pasi ishte përfshirë në një trafik kokaine prej 4 milionë paundësh në qytetin e Southampton-it. Trupi i tij u gjet i lidhur pas një tabele rrugore, ndërsa autoritetet belge kanë hapur një hetim të gjerë për ngjarjen.
Ekspertët paralajmërojnë se ky krim është shenjë e përshkallëzimit të dhunës midis bandave shqiptare, të cilat po adoptojnë taktikat brutale të kartelev meksikane, të njohura për varje publike, prerje kokash dhe tortura.
Profesori i kriminologjisë Ervin Karamuço shpjegon se “shkollat” e kartelit meksikan janë bërë një model trajnimi për rrjetet shqiptare të krimit të organizuar:
“Instruktorë nga kampet famëkeqe të stërvitjes për ‘sicarios’ tani shërbejnë si konsulentë për grupet që paguajnë për ekspertizën e tyre. Këto metoda janë jashtëzakonisht të sofistikuara dhe lënë shumë pak gjurmë,” – thotë ai, duke shtuar se përfaqësues të krimit shqiptar qëndrojnë në Amerikën Latine për të negociuar marrëveshje direkte me kartelet.
Nga Southampton në Bruksel
Halilaj ishte dënuar në 2017 me 7 vite burg për komplot për të furnizuar drogë të klasit A, pasi banda e tij kontrabandoi kokainë me cilësi 91% përmes Southampton-it. Pas dënimit, ai u deportua në Shqipëri dhe më pas u vendos në Belgjikë.
Sipas burimeve të agjencisë RTL, ai u rrëmbye dhe u ekzekutua si paralajmërim pas humbjes së një dërgese të madhe droge.
“Mesazhi ishte i qartë: kjo është ajo që ndodh kur dëmton interesat e kartelit,” – tha një burim policor belg.
Dhuna që po përhapet në Europë
Ngjarja në Bruksel nuk është e izoluar. Rastet e torturave dhe vrasjeve të lidhura me rrjete shqiptare janë shtuar ndjeshëm në Europë dhe Britani.
Në një rast të vitit 2022 në Londër, një shqiptar 30-vjeçar u rrëmbye dhe u mbajt peng për katër ditë për shkak të konflikteve rreth shtëpive të kanabisit. Ai u rrah dhe iu hoqën thonjtë, përpara se policia ta shpëtonte gjatë një operacioni special.
Edhe më herët, në 2012, Agim Hoxha, një tjetër trafikant shqiptar, u gjet i djegur në një Mercedes pranë Southampton-it. Vrasësi i tij, Arben Lleshi, u dënua me 32 vjet burg, por në vitin 2023 u vra brenda Burgut të Peqinit në Shqipëri, në atë që besohet të ketë qenë hakmarrje e lidhur me aktivitetet e tij kriminale jashtë vendit.
Zhdukje të pazgjidhura dhe hakmarrje virtuale
Një tjetër rast i bujshëm është ai i Aron Kato, 28 vjeç, i zhdukur në Ilford, Londër, në vitin 2019. Pamjet filmike tregojnë momentin kur ai shtyhet përtokë dhe futet me forcë në një BMW të errët. Policia dyshon se ai u rrëmbye nga një bandë shqiptare pas një grabitjeje të lidhur me fermat e kanabisit.
Në rrjete sociale janë shfaqur më vonë video të frikshme ku dy persona të maskuar torturojnë një të ri shqiptar, në atë që besohet të ketë qenë një akt hakmarrjeje për zhdukjen e Aronit.
Ekspertët: Krimi shqiptar po “meksikanizohet”
Gazetari Artan Hoxha e cilësoi vrasjen e Halilajt si një shenjë alarmi:
“Është e pabesueshme që, në zemër të Europës, po shohim akte të tilla që ngjajnë me brutalitetin e karteleve meksikane. Kjo tregon se krimi i organizuar shqiptar është i gatshëm të shkojë shumë larg për të ruajtur pushtetin dhe frikën.”