Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Maliq, ku ka ndërruar jetë si pasojë e një infarkti mësuesi 55-vjeçar Alban Bejleri.
Familjarët e përshkruajnë atë si një njeri të përkushtuar dhe të veçantë. Xhaxhai i tij, Besim Bejleri, u shpreh: “Nga farefisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalëpak, punëtor dhe besimtar. Ishte kontribuues ndaj fëmijëve.”
Ai shtoi gjithashtu: “Ai nuk ishte në punë atëherë, kur e rikthyen në punë, e çuan në zonën e Maliqit, në një zonë të thellë. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por ja, e sollën tani.”
Në mesazhin e tij, ai bëri edhe një thirrje publike: “Bëj thirrje për të gjithë politikanët, të çdo krahu, që personat e sëmurë duhet të jenë pranë familjes. Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh.”
Sipas tij, mësuesi përshkonte çdo ditë disa kilometra për të dhënë mësim: “Ai nuk ankohej kurrë, përshkonte rreth 7 km për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla. Shkonte vetëm për dy nxënës.”
Ndërkohë, kushëriri i viktimës, Muhamer Meka, tregoi: “Ishte njeri i mirë, djalë i rregullt. Ishte mësues prej 30 vitesh. Ka punuar në Bilisht më parë dhe më pas e çuan në Marjan. Kishte dy fëmijë dhe vuante nga diabeti.”
Edhe një mik i tij, Myfti Staro, deklaroi: “E transferuan për arsye politike. Kishte shumë vite në arsim. Bënte rreth 8 km në këmbë; linte makinën dhe vazhdonte në këmbë drejt fshatit.”
