Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri për vitin 2025 u mbajtën më 11 maj, duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugëtimin demokratik të vendit. Këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë politike të polarizuar, por u vlerësuan nga misioni i OSBE/ODIHR si transparente dhe konkurruese, me një organizim profesional dhe një ditë votimi të qetë, pavarësisht disa tensioneve.

Një risi e rëndësishme e këtij procesi ishte përfshirja për herë të parë e votës së diasporës. Rezultatet paraprake tregojnë se Partia Socialiste, e udhëhequr nga Edi Rama, ka siguruar një shumicë të qartë në Kuvend, me rreth 52% të votave dhe 82 mandate të fituara.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka arritur të fitojë rreth 34% të votave, duke siguruar 52 mandate. Ky rezultat i jep Partisë Socialiste mundësinë për të qeverisur për një mandat të katërt radhazi, një arritje historike në politikën shqiptare. Përveç PSD të Tom Doshit që ka siguruar 3 mandate deri tani, nga një mandat kanë siguruar edhe koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia e Agron Shehajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.

Ky është rezultati i deritanishëm kur janë numëruar më shumë se 95% e kutive, që tregon qartë një fitore massive të Partisë Socialiste.

Por cilat ishin pritshmëritë e liderëve të partive para zgjedhjeve dhe sa mandate mendonin se do merrnin ata?

EDI RAMA

Kryeministri Edi Rama ekskluzivitetin e parashikimit të rezultatit të PS në parlamentaret e 11 majit, ia la “Memorandumit të Kuçit”. Ai hodhi firmën e tij për një rezultat edhe më të thellë krahasuar me 74 mandate të fituar në vitin 2021 duke besuar 100% se në parlamentaret e 2025 PS arrin në 78 mandate. Guximi i parashikimit të Ramës shkoi edhe më tutje duke bërë një projeksion për mundësinë e arritjes së PS në 88 mandate. “Nën 78 nuk bie PS, ne mund të vëmë sa të duam, por kjo nuk është as fall as llotari, që të jemi të qartë, por ky është memorandum, 78 deri në 88, në këtë do lëvizi, në këndvështrimin tim do jetë diçka midis, se diku do marrim diku do lëmë,” tha Rama duke firmosur në një mbulesë buke në Kuç.

Pritshmëritë: 78-88 mandate

Rezultati: 83 mandate

SALI BERISHA

“Siç jam i sigurtë që sot është natë, ashtu jam dhe i sigurtë që këto zgjedhje do të mbaroj punë me Edi Ramën, jam 100% i sigurtë se do t`i fitojmë këto zgjedhje,” tha Sali Berisha në një nga intervistat e tij të dhëna së fundmi në televizionet shqiptare. Po ashtu në konferencën për shtyp nga selia blu më 9 maj, ai siguroi se “kjo do të jetë intervista ime e fundit si kryetar i opozitës shqiptare. Pas datës 12 maj kjo opozitë është mazhorancë,” tha ai. Në një tjetër intervistë Berisha tha “unë kurrë nuk jam numra dhe përqindje. Nuk jam profet unë. Punoj për një fitore, kam besim tek qytetarët, ata po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për gjendjen dramatike që ndodhet vendi. Ky shterim kombëtar është një problem jashtëzakonisht seriozisht për një komb,” tha ai pa folur me shifra.

Pritshmëritë: Nuk foli me shifra

Rezultati: 50 mandate

ADRIATIK LAPAJ

Kreu i partisë së re “Shqipëria Bëhet” në një intervistë të dhënë më herët për Shqipëria Live në Top Channel, tha se synimet e tij shkonin shumë më lart se sa thjeshtë një karrige në Kuvend. “Me kë vënd, me çfarë vendi? Për deputet? Atëherë shënoje nëse Adriatik Lapaj merr një mandat në parlament, nuk do të jetë Adriatik Lapaj që do e ketë atë mandat sepse unë nuk po hyj për të kap një copë deputeti. Mbaje moj shënim, moj zonjë me kë po flet. Po të them dhe njëherë në këtë betejë kemi hyrë për parimet dhe nuk do t`i ndahemi derisa ta shkërrmoqim politikën e vjetër

Pritshmëritë: Më shumë se 1 mandat

Rezultati : 1 mandat

AGRON SHEHAJ

Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, u shpreh besimplotë në ekipin e tij politik në këto parlamentare. Në një intervistë televizive Shehaj vuri një bast me moderatoren e emisionit se sa mandate do merrte në rang kombëtar. Ai shprehej i bindur se do dilte forcë e tretë politike në vend. “Në Tiranë ndihemi më të fortë, kemi më shumë mbështetje, por jemi qartësisht forca e tretë politike në rang kombëtar. Në të gjitha qarqet. Flas sipas sondazheve. Na nxjerrin forcë e tretë në të gjithë Shqipërinë. Është një fillim i mirë, dhe nëse partitë e reja do dalin në Kuvend, dhe ne kemi më shumë shance të futemi në parlament. Unë i qëndroj fakteve. Synoj te më pak se 14 mandate. Dështim do quaja dorëheqjen dhe dorëzimin. Nuk e imagjinoj dështimin, nuk ka një numër që do më bënte të hiqja dorë,” tha Shehaj.

Pritshmëritë: Më pak se 14 mandate

Rezultati : 2 mandate

ARLIND QORI

Edhe kryetari i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori preferoi të mos fliste me shifra në një nga intervistat e tij. « Nuk e di sa mandate do marr, unë di që do dalim shumë më mirë se në 2023. Se si kjo do shpërndahet në mandate, varet shumë nga sistemi zgjedhor,” tha ai.

Pritshmëritë: Nuk foli për shifra

Rezultati : 1 mandat

LULZIM BASHA

Basha nga ana e tij me partinë e re të krijuar pas largimit nga PD, Aleanca Euro Atlantike, shprehej lirshëm në intervista se synonte të qeveriste vendin me ekipin e tij dhe programin që shtronte. “Ne i kemi marrë të gjitha masat, që dhe pse në kushtet e një bllokade totale mediatike, të një sulmi të gjithëanshëm nga garda e vjetër, me ekipin tonë, të shpalosim vlerat tona, synimi ynë është të qeverisim Shqipërinë. Nuk jemi parti proteste, synojmë të qeverisim vendin. Përjashtojmë kategorikisht bashkëpunimin me Ramën e këdo të korruptuar,” thoshte Basha.

Pritshmëritë: Qeverisja e vendit

Rezultati : Asnjë mandat