Sipërmarrësi italian Massimo Ferro, 54 vjeç, nga qyteti i Camposampiero, ndërroi jetë në Shqipëri më 22 dhjetor, pak ditë pasi iu nënshtrua një operacioni për zvogëlimin e stomakut në një klinikë private “Trita Hospital” në Tiranë.

Sipas mediave italiane, autoritetet në Itali kanë hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tij dhe kanë kërkuar kryerjen e një autopsie të dytë. Vendimi erdhi pasi ekzaminimi i parë ka ngritur dyshime lidhur me procedurat e ndjekura gjatë trajtimit të trupit pas vdekjes.

Raportohet se gjatë kontrollit të parë mjeko-ligjor janë konstatuar mungesa të disa organeve, përfshirë stomakun dhe një pjesë të zemrës, ndërsa procesi i rikompozimit të trupit dyshohet të jetë bërë me metoda që nuk përputhen me praktikat bashkëkohore të mjekësisë ligjore.

Ekspertët pritet të krahasojnë rezultatet e të dy ekzaminimeve për të përcaktuar nëse vdekja lidhet me komplikacione pas operacionit, me trajtimin mjekësor të mëvonshëm apo me shkaqe të tjera natyrore.

Në kuadër të hetimeve, prokuroria e Padovës ka përfshirë në listën e personave nën hetim edhe një kirurg dhe një dietolog nga Lombardia, të cilët kishin qenë pjesë e procesit të konsultimit mjekësor të Ferro-s para udhëtimit të tij drejt Shqipërisë.

Ferro vuante nga diabeti i tipit 2 dhe kishte vendosur të ndërhynte kirurgjikisht për të ulur peshën, pasi për vite me radhë kishte dështuar me metoda të tjera. Ai ishte orientuar drejt një klinike private në Milano, e cila i kishte propozuar kryerjen e ndërhyrjes në Shqipëri, në një strukturë të lidhur me të.

Operacioni kishte një kosto prej rreth 4,400 eurosh, shumë më e ulët krahasuar me çmimet që aplikohen në Itali për të njëjtën procedurë. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu edhe mënyrën e komunikimit mes pacientit dhe mjekut, i cili, sipas raportimeve, zhvillohej kryesisht përmes aplikacionit WhatsApp.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, gjendja shëndetësore e Ferro-s u përkeqësua dhe ai u shtrua në terapi intensive, ku edhe humbi jetën disa ditë më vonë. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë dhe shkaqet e tragjedisë.