Kosovë- Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është serbi Zvonko Veselinoviq.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit, përveç Veselinoviq janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.

Ky grup, sipas Departamentit të Thesarit i ka të regjistruara 11 biznese në Kosovë, 10 në Serbi, nga një në Kroaci dhe Bullgari.

Telegraf shkruan se nga të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), shumica e bizneseve si agjent të autorizuar kanë Zvonko Veselinoviqin.

S. Z. T. R. Prizma B. I. si biznes është regjistruar në vitin 2010 në Graçanicë me përfaqësues të autorizuar Aleksandar Trajkoviq, ku si aktivitet primar ka riparimin e artikujve personal dhe shtëpiakë.

Kompania Ferari Preduzece za Usluge i Promet Polovnim Vozilima SH. A. është në pronësi të Zvonko Veselinoviqit, ku si aktivitet kryesor ka tregtinë me pakicë të mallrave të përdorura në dyqane, ku është themeluar në vitin 2002 në Mitrovicë.

Vëllai i Veselinoviqit, Zharko ka në posedim biznesin S. T. R. Kristal që është regjistruar në vitin 2005 me seli në Mitrovicë që si aktivitet ka formësimin dhe përpunimin e qelqit të rrafshët.

Sinisha Nedeljkoviq ka në pronësi katër biznese. P. T. P. Metal në ARBK është e regjistruar që nga viti 2001 me seli në Zveçan, ku si punë kryesore ka tregtinë me pakicë të artikujve elektronikë, ngjyrave dhe xhamit, në dyqane të specializuara, si nën kompani zotëron P. P. Robna Kuca Metal B. I., ndërsa Robna Kuca Metal D. O. O. vepron po ashtu në Zveçan, ku është regjistruar në vitin 2017 më aktivitet kryesor tregtinë me shumicë të pajisjeve elektroshtëpiake. Biznesi i katërt që zotëron Nedeljkoviq është Sinisa Nedeljkoviq B. I. e regjistruar në Shtërpcë në vitin 2015 më aktivitet shërbimin e pijeve.

Pjesëmarrësi tjetër i grupit kriminal të Veselinoviqit, Miljan Radisavljeviq ka në pronësi kompaninë P. P. Babudovac B. I. që është e regjistruar në vitin 2004 në Zubin Potok, me aktivitet primar tregtinë me shumicë të drithërave, duhanit të papërpunuar, farërave dhe ushqimit të kafshëve.

Ndërsa, Radovan Radiq ka në pronësi kompaninë Radovan Radic B. I. e regjistruar në vitin 2014 në Zubin Potok, e cila merret me përgatitjen e vendpunishteve.

Departamenti amerikan i Thesarit thotë se ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis dy vendeve.

2 qershor 2021- shpallen non-grata biznesmenë dhe zyrtarë të lartë në Bullgari?

Saktësisht Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit vuri sanksione ndaj tre shtetasve bullgarë dhe 64 subjekteve të lidhura me ta për përfshirje në korrupsion.

Në bazë të Ligjit Magnitsky, Departamenti i Thesarit sanksionoi biznesmenin dhe oligarkun e njohur bullgar, Vassil Kroumov Bojkov, ish-deputetin, Delyan Slavchev Peevski dhe ish-zëvendësshefin e Agjencisë Shtetërore Bullgare për Operacionet Teknike Ilko Dimitrov Zhelyazkov, i cili u emërua në Byronë Kombëtare për Kontrollin e Pajisjeve të Mbjedhjes së të Dhënave të Zbulimit. Po ashtu sanksione janë vënë edhe ndaj kompanive në pronësi apo të kontrolluara nga këta individë.

Të tjerë politikanë dhe biznesmenë ballkanas do të përfshihen në listën amerikane të personave nën sanksione në muajin janar.

Lajmi jepet nga Instituti Ndërkombëtar i Sigurisë me seli në Beograd, që thotë se lista është e gjërë dhe përfshin të paktën 50 persona. Kujtojmë se dhe në  Shqipëri kemi 3 politikanë dhe një  ish kryprokuror të sh[allur non grata mes tyre ish kryeministri  Sali Berisha. 

A po përgatitet një listë me politikanë e biznesmenë “non grata” në Shqipëri si në Bullgari dhe Kosovë?

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.