Në redaksinë e Gazeta “Shqip” ka mbërritur një denoncim ndaj një ndërtimi të paligjshëm të një lokali në truallin që është në pronësi të një shtetasi tjetër nga ana e biznesmenit Pandeli Carapuli.
Në këto foto vihet re qartë lokali restorant i ndërtuar poshtë vilave të Carapulit, por që ai nuk ndodhet në pronën e tij, por trualli është në pronësi të familjes Andon Bifsha.
Përfaqësues të familjes Andon Bifsha, kanë denoncuar në Gazeta Shqip grabitjen e tokës me dhunë nga Carapuli. Nëse në Shqipëri ligji do të ishte i barabartë për të gjithë atëherë ndaj duhet të që policia të vepronte dhe të niste procedurat duke e akuzuar për ndërtim pa leje dhe madje duhet të ndalohej dhe dënohet me vendim gjykate. Por strukturat vendore atje heshtin dhe bëjnë një sy qorr për Carapulin.
Gazeta Shqip ka raportuar në disa shkrime sesi kompania Eurocol, me pronar biznesmenin kontrovers Pandeli Carapuli, po tenton me forma të ndryshme të tjetërsojë pronën e qytetarit Andon Bifsha.
Carapuli ka marrë një leje zhvillimore për ndërtimin e kompleksit prej 19 mijë m2, të quajtur “White Rock’s” ose siç njihet ndryshe “Shkëmbinjtë e Bardhë”. Por biznesmeni e ka shtrirë ndërtimin deri në afërsi të bregdetit, në tokën e një banori, të quajtur Andon Bifsha. Ky i fundit e ka paditur në gjykatë, e cila më pas ka vendosur bllokimin e resorit të Carapulit, deri në zgjidhjen e konfliktit.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.