Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Fushë-Arrëz pasditen e sotme pasi 3 pjesëtaret e familjes Kola kanë ndërruar jetë.

Gjithçka nisi pasi vajza 15-vjeçare Emiljana Kola, u fut për t’u larë në dush, ku ka rënë në kontakt me energjinë e si pasojë ka ndërruar jetë në vend.

Pak sekonda më vonë të njëjtin fat do të kishte edhe motra e saj 18-vjeçare, Sidorela Kola, e cila shkoi me urgjencë për të parë se çfarë ndodhi me Emiljan dhe sapo ka prekur dorezën e dushit, ka ndërruar jetë edhe ajo.

Si të mos mjaftonte kjo, vrapoi drejt vajzave edhe e ëma e tyre 42-vjeçare, e cila sërish nga kontakti me energjinë ndërroi jetë. 

I lënduar ka mbetur edhe djali i familjes, por falë trajtimit tani është jashtë rrezikut për jetën. 

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.