Vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe kuptohet që partitë dhe koalicionet kanë mundur që të ndajnë gjithçka nga programi i tyre dhe jo vetëm.
Në këto zgjedhje nuk garohet vetëm me program por garohet shumë edhe me karizëm personale të secilit prej kandidatëve, e këtu përfshihet edhe gjuha e trupit, veshja e tyre, gjithë mesazhet që duan të përçojnë me paraqitjen që zgjedhin të kenë përgjatë ditëve të fushatës elektorale.
Liderët që drejtojnë partitë dhe koalicionet e kësaj fushate që pritet të ndodhë më 11 maj, ishin dje në lupën e komentuesve profesionistë.
Në emisionin “Ftesë në 5”, në Top Channel, të ftuarit kanë komentuar veshjet e kandidatëve që garojnë në zgjedhjet e 11 majit. Gjithashtu kanë komentuar edhe stilin e Edi Ramës dhe Sali Berishës.

Ekspertja e çështjeve të komunikimit, Anisa Bahiti, e nisi fjalën e saj duke thënë se ‘veshja është politika pa fjalë dhe në politikë ti je gjithmonë në skenë’. Sipas saj, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të jetë gjithmonë sport dhe është autentik në llojin e tij se si ka krijuar gjënë.
“Ti zgjedh të dalësh me veshjen tënde për të prezantuar veten tënde apo ti zgjedh për t’u targetuar te një grup i caktuar njerëzish që ti do të shkosh? E kemi vënë re për shembull kur ata shkojnë në zona malore, nëpër fshatra kryesisht, pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë apo deputetët, qoftë ata në qeveri apo qoftë ata në opozitë, zgjedhin të kenë një veshje xhins, t-shirt, për t’i treguar popullit ‘ne jemi si ju, ne flasim gjuhën tuaj’.
E keni vënë re në tubimet e mëdha, kryesisht liderët politikë nuk zgjedhin të vishen me kostume dhe të kenë një veshje formale. Çfarë ka zgjedhur kryeministri? Ka zgjedhur të jetë gjithmonë sport, ai ashtu ka stilin tij dhe është autentik në llojin e tij se si ka krijuar gjënë. Por në momentin që ai bën atë lloj veshje, i tregon popullit përballë që shiko ‘unë jam i thjeshtë dhe jam njëjtë si ju’”, tha ekspertja e çështjeve të komunikimit.
Nga ana tjetër, këshilluesja e imazhit, Esmeralda Zoto, komentoi yllin që kreu i qeverisë ka në bluzë. Sipas saj, numri 5 ka përkuar shumë bukur yllin pasi ato janë 5 cepat, 5 gishtat dhe 5 te fleta.
“Kjo ka qenë një ndër fushatat paqësisht më të bukura ndër vite, qoftë estetikisht, qoftë edhe nga liderët, zhurma, pankartat, posterat, flamujt. Kishte një lloj sharmi dhe estetike më ndryshe nga fushatat e tjera. Ndërkohë nëse hidhemi te dy liderët politikë, ka përkuar shumë bukur numri 5 me yllin që zoti kryeministër mban me vete gjithmonë. Sepse janë ato 5 cepat, 5 gishtat, 5 te fleta dhe është një simbol. Tjetër që e ndihmon është edhe baza e bluzës tek ylli duke qenë se së fundi ai është paraqitur vetëm me të zezë. Ylli gjithashtu lidhet edhe me shumë elementë të tjerë, pikërisht me Bashkimin Europian, bluja me të verdhën”, tha Zoto.
Ndërkohë stilistja e njohur, Rezarta Skifteri, ka komentuar mungesën e orës në dorë, të cilën e ka zëvendësuar me aksesorë sportiv.
“Po ta vini re te pjesa kyçi i dorës që është detaj i vogël por që është shumë i rëndësishëm, është që e bën më afër me popullin. Sepse po të shikosh është eliminuar pjesa e orës dhe ka shumë elemente të aksesorëve sport, për të qenë më afër me popullin. Veshja është një komunikim i heshtur, ku shpeshherë nuk ke nevojë të flasësh për të parë kë ke përballë. Të paktën impakti i parë. Momenti afër popullit është shumë i rëndësishëm që ti të jesh pothuajse afër dhe në veshje. Për fat të mirë, në rastin konkret, Edi Rama është edhe artist dhe luan me veshjen.
Është një nga personat e politikës që vishet absolutisht më veçantë, me një frymë ndryshe”, tha stilistja e njohur
I ftuar ishte edhe gazetari i njohur, Milaim Zeka, i cili u kap me një tjetër detaj që karakterizon Edi Ramën, atletet.
“Disa herë u tha se këta duan me qenë afër popullit, unë kam mendim tërësisht të kundërt. Nuk duan me qenë afër popullit po populli me qenë afër tyre dhe atyre me iu dukë shumë më interesant mënyra se si ne vishemi. Për shembull Edi Rama duke shkuar në një vend me atlete, në samitin e NATO-s, ai e ka ditur që në fillim që do të jetë top temë e të gjithë gazetarëve botërorë. Domethënë gazetarët nuk u morën me trurin e Edi Ramës, po u morën me këmbët. E kur Edi Rama apo një X politikan, do me e shpërqendruar totalisht vëmendjen e qytetarit, këta vishen në mënyra të ndryshme, përdorin ngjyra të ndryshme, thjesht për t’u dukur më interesant”, tha Milaim Zeka.