Mandati i fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” është kthyer në mollë sherri për dy palët dhe ndër debatet më të nxehta politike të kësaj jave.

Sulme të drejtpërdrejta në rrjete sociale pati edhe mes kryetarëve të dy palëve respektive, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.

Se çfarë thoshte kreu i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, më herët para zgjedhjeve lidhur me këtë koalicion është rikthyer sërish në vëmendje.

Qori thoshte se ata nuk kanë asnjë program të përbashkët dhe se e vetmja gjë që i intereson është të kenë një karrige individuale në parlament. Po ashtu ai parashikoi saktë dhe fundin e tyre duke sharë dhe mallkuar njëri-tjetrin.

“Këta nuk i bashkon asgjë me njëri-tjetrin. Këta të nesërmen e zgjedhjeve, po ta them këtu, do ta shajnë njëri-tjetrin, do ta mallkojnë njëri-tjetrin, do t`i thonë njëri-tjetrit na vodhe votat, se nuk i bashkon asgjë. Dhe secili nga ne ka vetëm një interes, secili nga ata që janë në ato lista aty: Si të bëhem individualisht deputet, nuk i intereson asgjë tjetër.

Ky është karagjozllëku më i madh, kjo është të tallesh me qytetarët. Këta nuk i bashkon asgjë, thjeshtë kanë një uniformë të përbashkët. I kanë thënë vetes jemi koalicioni X. Atyre nuk i intereson asgjë tjetër, as idetë, as programi, as historia, secili lufton vetëm për veten e vet, nuk kanë asnjë ide të përbashkët, asnjë program, asnjë besim te njëri-tjetri mbi të gjitha, dhe për të qenë minimalisht të sigurtë se nuk do i bëjmë hile njëri-tjetrit do vendosim nënat, vëllezërit, motrat e kështu me radhë.

Një parti serioze, e para nuk e bën këtë gjë, por hyn sic janë rregullat. E dyta, edhe nëse është e detyruar ta bëjë, ka aktivistë brenda partisë që e bën. Pra këta thonë, meqë nuk i zëmë besë në këtë jetë askujt përvec mamit dhe babit, do vëmë mamin dhe babin në listën e sigurtë,” shprehej Qori.

 Vendimi i kandidatit Zeqir Kordhoni për t`i nisur një tjetër letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku shprehej këmbëngulës për të marrë mandatin e deputetit, nuk i ka pëlqyer aleatëve.  Ai është renditur i 9-ti në listën e Tiranës dhe sipas CV-së së tij, ai është një punëtor ndërtimi dhe invalid që trajtohet me KEMP.

Koalicioni i Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit i mbushi listat e mbyllura me emra fiktivë dhe familjarë, duke u shprehur se të gjithë këta kandidatë do tërhiqeshin për ta kaluar mandatin tek kandidatët e listës së hapur.