Teksa janë numëruar rreth 95% e kutive në rang vendi, Partia Socialiste ka thelluar diferencën me Partinë Demokratike, me mbi 200 mijë vota. PS deri më tani ka siguruar 82 mandate, në krahasim me PD që ka vetëm 52.

Këto zgjedhje shënjuan edhe një tjetër humbje të thellë të Partisë Demokratike pas asaj në vitin 2013. Plot 12 vite më parë, kreu i atëhershëm, por dhe i tanishëm, i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të dilte para popullit dhe do të njoftonte dorëheqjen nga posti i kryetarit.

“Duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fituesit të zgjedhjeve mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë.

Kështu që, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtet më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike, të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj, të punoj me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë, vlerat dhe parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve.”– shprehej ai, në dukje i përlotur.

Po në këto zgjedhje, a do veprojë njësoj Berisha?

Në daljen e tij të parë para mediave pas zgjedhjeve të 11 majit, Berisha nuk dha një përgjigje të saktë nëse do ta pranojë rezultatin, por si përherë, hodhi akuza për manipulim të rezultatit dhe blerje votash. Megjithatë,, nëse ish-kryeministri do justifikojë mospranimin e rezultatit dhe moslargimin e tij me këto akuza, vetë statuti i Partisë Demokratike në këtë rast i kthehet kundër.

Pasi u rikthye në krye të PD-së në vitin 2022, Berisha nxitoi të votonte statutin e ri të Partisë, që sipas tij do sillte risi në kampin blu. Mes shumë neneve dhe rregullave, një nga më kryesorët në këtë statut ka të bëjë me mandatin e kryetarit.

Neni 46 i statutit të ri parashikon që kryetarit të PD-së i mbaron mandati kur humbet zgjedhjet parlamentare dhe nuk ka të drejtë të rikandidojë për kryetar të partisë. Në rast humbje në zgjedhjet vendore, kryetari i PD-së duhet të votëbesohet në Kuvendin Kombëtar. Ai quhet i votëbesuar nëse pro tij votojnë jo më pak se sa 70 % e anëtarëve të Kuvendit.

Edhe vetë me gojën e tij, Berisha deklaronte: “Statuti do sanksionojë, kryetari po humbi zgjedhjet largohet pa asnjë diskutim. Ky nen do quhet ‘neni Basha'”

A do ta zbatojë Berisha statutin që ai vetë votoi, duke dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë demokratike dhe duke i dhënë më në fund opozitës mundësinë për të ndryshuar?