
Të dhënat e shqiptarëve ruhen në serverat e agjencisë që drejtohet nga një person që është akuzuar për plagjiaturë në punimin e doktoraturës.
Mirlinda Karcanaj, drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është akuzuar në 2018-n nga ish-zvministri i Arsimit, Taulant Muka për plagjiaturë në punimin me anë të të cilit ka siguruar doktoraturën.
Ish-zëvendësministri i Arsimit Taulant Mauka, vijon denoncimet për plagjiaturë të doktoraturës. Akuzat këtë herë drejtohen ndaj kreut të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë e Informacionit, Mirlinda Karçanaj, e cila veç kësaj jep edhe mësim në Fakultetin e Ekonomisë.
“Është një kombinim copy-paste i pjesës teorike nga burime të ndryshme dhe pjesa tjetër që më shumë se punim i një teze doktorature, duket si shënime leksionesh, apo si specifikime teknike tenderash”, shkruante Muka në 2018.
Muka ngre pyetjen “a mundet drejtoresha plagjiaturë e AKSHI të kontrolloj plagjiaturat dhe sistemin e provimeve te maturës dhe shtetit në Shqipëri?”, nisur nga fakti që ato ditë në qendër të debatit ishin pikërisht plagjiaturat e doktoraturave.

Jo vetëm që mundet, por Mirlinda Karçanaj nuk ka në dorë vetëm kontrollin e doktoraturave dhe të provimeve të maturës së shtetit, por është “Big Brotheri” edhe i xhepave të shqiptarëve, siç zbuloi skandali i fundit i publikimit të pagave.
Muka i përgjigjej një deklarate të Kryeministrit Edi Rama, që tha se do të dixhitalizohen doktoraturat për të kontrolluar plagjiaturat. Dixhitalizimi do të kryhej pikërisht nga AKSHI.

“Por si mundet ky institucion, me në krye Znj. Mirlinda Karcanaj, Drejtor i Përgjithshëm Agjencia Kombëtare e Shoqerisë së Informacionit të sigurojë cilësinë dhe eventualisht të kuptojë dhe parashtrojë saktë kërkesat funksionale të sistemit hipotetik, kur Znj. Karcanaj doktoraturën e vet e ka komplet plagjiaturë? A mundet Znj. Karcanaj të garantojë sistemin dixhital për provimet e maturës dhe shtetit që të ofrojë meritokraci”, shkruante Muka.

Me sa duket, Karçanaj nuk garantonte dot as sistemin dixhital të provimeve të maturës së shtetit, madje sipas hetimit të nisur nga prokuroria, ku subjekt është edhe agjencia që ajo drejton, nuk ka mbrojtur e garantuar dot as të dhënat e mbrojtura me ligj të qytetarëve shqiptarë.

©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.