Viti 2025 ishte i mbushur me dinamika, por gjithashtu edhe me plot ngjarje të rënda të kronikës së zezë. Nga atentate, në konflikte të përfunduara në tragjedi, vendi ynë u trondit jo pak gjatë këtyre 365 ditëve.

Ngjarja e parë e rëndë do të ndodhte vetëm 4 ditë pas hyrjes së vitit 2025, në Shkodër, ku dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasa do i merrnin jetën Ramazan Matajt. Krimi i rëndë u shënua më 4 janar 2025 në fshatin Dragoç të Shkodrës, ku Arjon Hasaj qëlloi me breshëri ndaj makinës së të riut, pasi e akuzonte se kishte lidhje me motrën e tij, marrëdhënie e ndaluar që ishte kishte sjellë 2 divorce të saj. Ai e futi në kurth dhe e nxori në pritë Ramazan Matajn, pasi bisedoi me të nga një profil fals sikur ishte vajzë.

Vetëm pak ditë më pas, më 13 janar, do të ndodhte një tjetër atentat. Kristian Marku alias Bardhi u ekzekutua në aksin Fier- Vlorë, teksa udhëtonte me makinë. Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hakmarrja mes këtyre dy fiseve Bardhi dhe Reçi, të njohur për armiqësinë e cila ka marrë dhe jetë të tjera.

Në 24 janar vritet Lulzim Visha në Tiranë. Në pranga për krimin përfundoi Eduart Lami, 37-vjeç.

27 shkurti solli një tjetër vrasje të rëndë në Shkodër, ku u vra Pavlin Preka, krim për të cilin janë arrestuar Vasel Koçeku, 43 vjeç dhe Klaudio Lisaj, 20 vjeç.

Më 17 prill 2025 u regjistrua vrasja e Gjovalin Prendit në Lezhë, edhe ky rast pa autorë të arrestuar, ndërsa si motiv dyshohet se është hakmarrja.

Sakaq, një tjetër krim u regjistrua më 1 qershor 2025, ku u vra Pjetër Kaza në Lezhë. Edhe ky krim dyshohet se ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes që daton në 1994 mes fiseve Gjini dhe Kaza.

Më 4 qershor, në qytetin e Durrësit, u vra Ermir Dedja (29 vjeç), ngjarje e cila çoi në arrestimin e dy personave, Erion Ndoni dhe Klodian Berisha, ndërsa një tjetër i shpallur në kërkim Xhuljano Dyrmishi, dyshohet për përfshirje në këtë vrasje dhe në organizimin e saj kriminal.

Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi më 4 gusht 2025 në Vau të Dejës, kur u vra Frrok Lleshaj, edhe ky rasti mbetet i pazbardhur nga policia. Ndonëse nuk ka të arrestuar, pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani.

Ngjarje e rëndë ishte dhe ajo e vrasjes së 14-vjeçarit Erald Xhejo. Pa u mbushur një vit nga vrasja e Martin Canit, më 14 gusht në fshatin Pirg të Maliqit kjo tragjedi do përsëritej. Konflikti mes adoleshentëve nisi nga një fjalë “pse më sheh”, e për disa muaj vazhdoi në rrjetet sociale. Më pas, ditën e krimit të rinjtë u takuan për t’u sqaruar, por në fakt gjithçka përfundoi në tragjedi. Bashkëmoshatari Enedio Guri e qëlloi me thikë në zemër, duke e plagosur rëndë. 14-vjeçari më pas ndërroi jetë në spital.

Pirro Prroni (61 vjeç), u vra më 28 gusht 2025 në Abat i Postribë, ndërsa autori Ndoc Maçaj u dorëzua në polici.

Kristian Kola (34 vjeç), u vra më 4 shtator 2025 pas një sulmi me armë në Shkodër. Krimi ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, përballë dhjetëra dëshmitarëve dhe nën vëzhgimin e shumë kamerave sigurie. Viktima ndodhej ulur në një tavolinë jashtë një lokali, kur u qëllua me breshëri plumbash. Edhe pse tentoi të largohej, ai nuk mundi t’i shpëtonte atentatorëve. Autori, i maskuar dhe i pajisur me skafandër, u largua me motor së bashku me një bashkëpunëtor.

Më 8 shtator, Shkodra do tronditej sërish nga një atentat në mes të një kafeneje. Armando Pali, punonjës i IKMT-së dhe Liridon Kraja (Lushi) u vranë me breshëri automatiku, ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso (Brajoviç), i cili ndodhej në tavolinë me viktimat, si edhe kamerierja në lokal Meri Kaceri. Autori ishte Ragip Gila, i cili u arrestua pas disa minutash ndjekje. Ndërkohë dyshohet se shënjestër ka qenë Erogen Vaso (Brajoviç), vëllai i Denis Bajrit.

Më 18 shtator u nxor pa jetë në një humnerë Mirel Çokaj, ndërkohë familjarët e tij pretendojnë se ai është vrarë për parcelat e kanbanisit. Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet.

Ndërkohë, muaji tetor do të ishte me bilancin më të rëndë për sa i përket viktimave, me plot 5 ngjarje kriminale.

Më 6 tetor do të ekzekutohej brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjyqtari Ahmet Kalaja nga Elvis Shkambi. Shkak për krimin u bë një konflikt i tejzgjatur i familjes Shkambi për një pronë në Shkodër, çështje të cilën po e gjykonte Kalaja.

Më 22 tetor, dy persona po humbnin jetën pas një konflikti banal për një kafe, në Manzë të Durrësit. Ngjarja e rëndë u shënua pranë një karburanti rreth orës 01:45, ku 33-vjeçari Flori Paluçi ka vrarë me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Më pas ndaj 33-vjeçarit ka qëlluar një 21-vjeçari Daniel Pepa, duke e lënë të vdekur. Daniel Pepa së bashku me Aranit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamerierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamerieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe.  Më pas, sipas informacioneve, Danieli i ka kërkuar që ta ndizte ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamerierit. Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë se nuk mund ta fyejë kamerierin, pasi është ulur në tavolinë me të. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Por tragjeditë për konflikte banale nuk do të përfundonin këtu. 34-vjeçari Indrit Ismaillari, kuzhinier, do të vritej nga kolegu i tij, Filip Shehu në një restorant në Tiranë, më 28 tetor. Konflikti i tyre nisi për një tas sallate, ndërsa autori pretendoi se viktima e bullizonte. Shehu e goditi tre herë më thikë Ismaillarin duke e lënë të vdekur brenda kuzhinës ku punonin të dy.

Po në 28 tetor, në Berat Keli Hoxha, i cili ishte kthyer në Shqipëri për pushime me familjen pasi jetonte jashtë vendit, u vra për një kalë. Autori Kosta Mema kishte një kalë me të cilin u bënte shëtitje turistëve në kalanë e Beratit. Ditën e krimit, Hoxha me familjarët e tij, mes tyre vajza e mitur, iu afruan kalit, bënë foto dhe e prekën. Këtu, Mema reagoi keq duke u kërkuar të mos  preknin. Pas një konflikti, ai e goditi me thikë viktimën. Hoxha mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në Spitalin e Beratit. Ndërkohë autori, u arratis nga zona duke u fshehur për disa orë në një shpellë, derisa u arrestua.

Bilanci i 28 tetorit do “nxihej” edhe më tej nga një krim i rëndë brenda familjes. Në Shkallnur të Durrësit, 25-vjeçari Marjan Kodheli goditi me thikën e bukës për vdekje babain 69-vjeçar Pjetër Kodheli. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se i riu vuante nga probleme të shëndetit mendor.

4 ditë më pas, më 1 nëntor, në fshatin Gjorm të Vlorës, një 36-vjeçar u ekzekutua nga kushëriri i tij Bertil Alliaj, i dënuar më parë me 35 vite burg për “Masakrën e Çoles”. Alliaj dyshohet se e qëlloi për vdekje Dilan Alliajn pranë banesës së tij, për motive ende të paqarta, por që besohet për konflikt të çastit. Pas vrasjes, u arratis drejt zonës malore të Gjormit, për tu arrestuar më vonë. Ishin familjarët e 36-vjeçarit që e gjetën të plagosur me 6 shenja plumbash, e transportuan për në spital, ku edhe humbi jetën.

Më 11 nëntor, Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, teksa i plagosur rëndë mbeti edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ky i fundit ndërroi jetë disa ditë më pas në spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e plagëve të marra. Ndaj automjetit të tyre ‘Benz’ u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Motivi i krimit dyshohet se ishte përplasje mes grupeve kriminale, pasi Dani ishte i lidhur me Emiljano Shullazin.

Më pas, më 25 nëntor një tjetër i mitur do humbte jetën pas një konflikt ime bashkëmoshatarë. 15-vjeçari Erion Boba u vra në zonën e ish-Kënetës në Durrës pasi u qëllua me thikë nga një 14-vjeçar. Konflikti mes dy grupeve kishte nisur për disa komente në Tik-Tok e dhe më pas u përballën fizikisht.

Tjetër ditë e “zezë ishte ajo e 30 nëntorit, kur Mondi Mëhalla u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe një në trup sapo kishte dalë nga zyra e tij në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil”. Njëri nga autorët doli nga makina “Audi”, u afrua dhe qëlloi. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në Mirakë, brenda të cilit u gjet e djegur pistoletën Beretta, të përdorur në krim. Autorët e identifikuar janë Marselo Arani, 32 vjeç, Armando Kola, 35 vjeç dhe 29-vjeçari Nevzat Spaho.