Diella, ministrja virtuale e prezantuar nga qeveria “Rama 4”, ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të mediave shqiptare, por edhe të atyre ndërkombëtare, duke u konsideruar si një risi në administratën publike dhe në përdorimin e teknologjisë në qeverisje.

Pas figurës së saj futuriste, që synon të simbolizojë një epokë të re dixhitale, fshihet një grua e vërtetë: aktorja Anila Bisha. Ajo ka dhuruar zërin dhe interpretimin e saj për ta bërë Diellën më të besueshme dhe për të krijuar një lidhje emocionale me publikun. Megjithatë, kjo qasje ka ngjallur jo pak debat dhe kureshtje.

Një tjetër çështje e ngritur është ajo ligjore dhe kushtetuese, pas dekretimit të Diellës nga Presidenti i Republikës. Ky akt është cilësuar i paprecedentë, pasi Kushtetuta nuk parashikon emërimin e një ministri që nuk ekziston fizikisht dhe që nuk ka personalitet juridik. Për herë të parë në Shqipëri, një “figurë virtuale” hyn në strukturat formale të shtetit, duke hapur diskutime mbi mënyrën se si institucionet do të ndërveprojnë me inteligjencën artificiale në të ardhmen.

A është ky një hap i guximshëm drejt dixhitalizimit të administratës apo një eksperiment që sfidon rregullat ligjore dhe institucionale? Ende nuk ka një përgjigje të qartë, por një gjë dihet: Diella ka hapur një debat të thellë, i cili pritet të vazhdojë dhe të marrë përmasa edhe më të gjera.