Në Shqipëri raportohen shpesh krime të rënda, për të mos thënë çdo ditë. Por dita e sotme, 28 tetor 2025, shënoi një bilanc tragjik. Brenda pak orësh janë shënuar plot 5 viktima dhe një i plagosur, në gjendje të rëndë.
Viktima e parë u regjistrua vetëm 15 minuta, pasi data shënoi 28 tetor, në bulevardin “Ismail Qemali” të Vlorës. 17-vjeçari Leandro Shametaj humbi jetën pasi u përplas për vdekje nga një makinë, teksa ishte duke shkuar në shtëpi. Ai kishte përfunduar turnin në lokalin ku punonte si kamerier, kur një 32-vjeçar i dehur erdhi me shpejtësi 200km/h me makinë e tij “Porche” dhe e përplasi.
Pas Vlorës, “hija” e zezë e krimit u zhvendos në Shkodër, aty ku u plagos rëndë Enea Buzukja. 38-vjeçarit, punonjës i Tatimeve, i shpërtheu një sasi tritoli që i ishte vendosur në makinë sapo ai e ndezi mjetin. Policia dyshon paraprakisht se shkak për shpërthimin me tritol është bërë profesioni i tij, por hetimet vijojnë.
Nëse fatmirësisht ngjarja e rëndë në Shkodër do përfundonte vetëm me një të plagosur, në Durrës do shënohej një krim makabër, brenda familjes.
25-vjeçari Marjan Kodheli i mori jetën babai të tij, Pjetër Kodheli. Sipas policisë, në fshatin Shkallnur, i riu, që dyshohet se vuan nga probleme të shëndeti mendor, e qëlloi fillimisht me dru në kokë të atin. Pas kësaj, ai i nguli thikën në zemër duke i shkaktuar vdekjen. Marjan Kodheli u arrestua dy orë pas krimit nga forcat “Shqiponja”, dhe tashmë do përballet me drejtësinë për krimin tragjik.
Teksa vëmendja ishte e gjitha në Durrës, në Tiranë një sherr brenda një restoranti do kthehej në tragjedi. Ngjarja ndodhi në zonën e “Komunës së Parisit”. 41-vjeçari Filip Shehu vrau me thikë kolegun, 34-vjeçarin Indrit Ismaillari, të dy pjesë e stafit në bar-restorantin “City Lounge”, për motive të dobëta. Autori i ngjarjes ka rrëfyer pas arrestimit se ndihej vazhdimisht i bullizuar nga viktima, teksa i gjithë krimi ka ndodhur në sy të klientëve. Kolegët e tyre kanë deklaruar se konfliktet mes autorit dhe viktimës ishin të shpeshta.
Një tjetër konflikt do të merrte një tjetër jetë, por këtë herë në Berat. Sipas policisë, në lagjen e Kalasë, Kristo Mema do godiste për vdekje me thikë turistin Keli Hoxha. E gjitha ndodhi pasi ky i fundit po i bënte një foto vajzës së tij të vogël me kalin dhe këtu nisi debati mes autorit dhe viktimës. 63-vjeçari, Kristo Mema, me precedentë penal të mëparshëm dhe i njohur si person problematik e gjaknxehtë, pas konfrontimit fizik e ka qëlluar me thikë 42-vjeçarin. Ai kishte ardhur nga Tirana së bashku me nënë, bashkëshorten dhe 2 vajzat për vizitë në Kalanë e Beratit, ku dhe ndodhi ngjarja e kobshme.
Kristo Mema vijon të jetë në arrati, teksa raportohet se ka precedentë penalë në Greqi, për një vrasje me thikë.
E viktima e fundit do të regjistrohej në burgun e Shkodrës, aty ku një shtetas amerikan Brendon Saporito, do të varej brenda qelisë, ku ndodhej i paraburgosur për vrasjen e partneres së tij Sandra Saporito në muajin maj, teksa ndodheshin në Shqipëri.
Këto ngjarje duhet të jenë “kambanë alarmi” jo vetëm për autoritetet, por mbi të gjitha për shoqërinë. Konfliktet e çastit në shumë raste po përfundojnë në “kronikë të zezë”, e po ashtu viktimat nga aksidentet po shtohen nga dita në ditë, nga pakujdesia. Të gjithë duhet të reflektojmë pasi përgjegjësia është e përbashkët!






