Pasi mbylli një javë të gjatë e të lodhshme në punë, Zoura Amourgh, vendosi që pasditen e së premtes ta kalonte me mikeshat e saj në një nga kafanetë e Marrakeshit e prej aty të shkonte në shtëpi në familjen e saj.

Por teksa qëndronte shtrirë me celularin në dorë duke menduar se si do kalonte fundjavën, mendimet iu prenë në mes në orën 23:11 të darkës, pasi qëllimi kryesor i saj ishte mbijetesa.

Zoura tregon për Gazeta Shqip se frika që përjetoi ishte shumë e madhe, por se për fatin e saj të mirë as ajo e asnjë nga familjarët e saj, prindërit dhe 2 motrat, nuk patën lëndime.

“Po qëndroja shtrirë me telefon në dorë, po mendoja se çfarë do bëja të shtunën dhe të dielën kur papritur ndjeva dridhjen e frikshme të tokës. Unë dhe familja ime dolëm menjëherë nga shtëpia. Jashtë ishte një kaos i vërtetë, disa shtëpi ishin shkatërruar, ndërsa e jona për fat shpëtoi vetëm me disa dëmtime në mure dhe në çati,” thotë Zoura për Shqip.

Marokenia 24-vjeçare tregon se pasi u sigurua që familjen e kishte mirë, filloi të telefonte disa nga miqtë e saj, por nuk mund të lidhej me ta.

“Gjëja e parë që mendova në ato momente është se ky është fundi e se do vdesim. U përfshiva nga paniku. Fillova të them shahada-n (lutje fetare) me mamanë time teksa rrinim përqafuar, dhe mendoja se në ato momente asgjë tjetër përveç se Zotit do na shpëtojë. U përpoqa të kontaktoj më pas me disa nga miqtë e mi, por në ato momente nuk funksiononte linja,” tregon Zoura.

Familja e Zoura-s ishte në mesin e mijëra familjeve në Marrakesh që u prekën nga tërmeti 6.8 ballë. Aktualisht numërohen rreth 2100 të vdekur nga lëkundjet e së premtes.

Ndërkohë ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në terren, me disa shtete që i kanë shkuar në ndihmë Marokut si Algjeria, Spanja, Mbretëria e Bashkuar e të tjerë.

Shteti vendosi 3 ditë zie për katastrofën mjedisore, epiqendra e së cilës ishte në malet Atlas.