Rrëzimi përfundimtar i misionit 20-vjeçar perëndimor në Afganistan zgjati vetëm një ditë. Militantët talebanë hynë të dielën në kryeqytetin e vendit, Kabul, ndërsa Presidenti Ashraf Ghani u arratis dhe Amerika braktisi ambasadën e saj.

Edhe vetë militantët ishin të befasuar nga shpejtësia e marrjes së kontrollit, pranoi bashkëthemeluesi Mullah Abdul Ghani Baradar në një deklaratë video në mbrëmje. Tani grupi përballet me sfidën e vendosjes së rendit dhe ligjit, shtoi ai. Ata pritet të shpallin së shpejti një Emirat të ri Islamik të Afganistanit.

Mijëra njerëz, të dëshpëruar, pushtuan aeroportin, në përpjekje për t’u arratisur nga vendi dhe për t’I shpëtuar regjimit të ri. Kjo shkaktoi kaos në të gjithë trafikun ajror.

Në skenë thellësisht poshtëruese për administratën Biden, më pak se një muaj para 20 vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit në Amerikë, tymi doli nga kompleksi i ambasadës, pasi stafi shkatërroi me shpejtësi dokumentet, para se një grup i fundit të hiqte flamurin me yje dhe shirita për t’u nisur drejt  aeroportit me helikopter ushtarak.

Ishte e qartë që herët të dielën se një epokë e dytë e sundimit taleban kishte filluar në mënyrë efektive. Komandantët talebanë e nisën ditën aq të sigurt për fitoren, saqë, pasi luftëtarët e tyre rrethuan kryeqytetin, ata i urdhëruan ata të qëndrojnë jashtë qytetit dhe të presin.

“Forcat tona nuk po hyjnë në Kabul. Ne duam një transferim paqësor të pushtetit, “tha zëdhënësi Suhail Shaheen. Por me dorëzimin në dukje të pashmangshëm, forcat qeveritare afgane u shkrinë, plaçkitja shpërtheu dhe orë më vonë talebanët pretenduan se njerëzit e tyre ishin të nevojshëm për të rivendosur rendin.

Kështu ata nuk vepruan  si luftëtarë por si policë, duke u paraqitur si një qeveri në pritje. Në mbrëmje talebanët kishin marrë “Arg”, pallatin presidencial, që është selia historike e fuqisë së Afganistanit.

Pallati presidencial pritet të përdoret për të shpallur një Emirat të ri Islamik, më shumë se dy dekada pasi grupi kishte krijuar të parin, dhe pamjet televizive tregonin luftëtarët talebanë që bredhnin nëpër dhomat e tij dhe hiqnin flamujt për t’i zëvendësuar me të tyrin.

Afganët pa mundësi për t’u larguar nga vendi, kishin vrapuar në shtëpi për të shkatërruar dëshmitë e lidhjeve perëndimore ose qeveritare, kur kuptuan se po vinin talebanët. Gratë pa burka kërkuan dyqane ku mund t’i blinin. Edhe spitalet u mbyllën.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se më shumë se 550,000 njerëz në Afganistan kanë lënë shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit që nga fillimi i këtij viti.

Shaheen, zëdhënësi i talebanëve, ka premtuar “amnisti” për ata që punuan për qeverinë e rënë tani, ose me kombet perëndimore, duke i ftuar ata, edhe pse ndoshta vetëm burrat, për të shërbyer nën sundimin taleban. “Ne i ftojmë edhe një herë të gjithë të vijnë dhe t’i shërbejnë kombit dhe vendit,” tha ai.

Por kjo  ofertë është parë me skepticizëm nga shumë njerëz. Në zonat e kontrolluara nga grupi ka pasur raporte të besueshme për vrasje hakmarrëse, ekzekutim të ushtarëve të dorëzuar dhe gra të detyruara të lënë arsimin dhe të martohen me militantët.

Mandati amerikan, që dikur synonte rindërtimin e Afganistanit, ishte reduktuar në përpjekjen për të nxjerrë të gjithë stafin dhe aleatët afganë jashtë vendit, para një kontrolli të plotë të talebanëve.

Të gjitha ambasadat e tjera perëndimore tashmë operonin vetëm jashtë aeroportit, me insistimin e SHBA. Ndërtesat e tyre nëpër qytet ishin kryesisht të zbrazëta, megjithëse diplomatët e Rusisë, Pakistanit, Iranit dhe vendet e tjera që nuk kishin qenë pjesë e misionit të NATO -s mbetën në komplekset e tyre.

Presidenti Ghani thuhet se është  në Taxhikistan. Në një postim në Facebook, ai pranoi fitoren ushtarake të talebanëve dhe tha se u largua për të shmangur luftimet në Kabul që do të kishin shkaktuar një “gjakderdhje”.

Nga ana tjetër, ish -presidenti Hamid Karzai, ndau një video me vajzat e tij, duke premtuar se do të qëndronte në Kabul. Ai është pjesë e një këshilli koordinues të sapoformuar të udhëheqësve afganë, i cili do të takohet me talebanët dhe do të menaxhojë transferimin e pushtetit.

Pati zemërim për presidentin, i cili vetëm një ditë më parë kishte qenë në TV kombëtar, duke premtuar se do të riorganizonte ushtrinë. “Ghani ia shiti vendin talebanëve,” tha nëpunësi civil Karima Jamili. “Unë i besova atij dhe votova për të, por ai është një udhëheqës i dështuar.

Gjithsesi, disa e mirëpritën largimin e tij, pavarësisht trembjes për atë që do të vinte më pas.

“Imagjinoni sikur ai të luftonte kundër talebanëve; sa jetë do të merreshin dhe sa civilë të pafajshëm do të vriteshin? ” tha Hadia, një studente universiteti.

Një vlerësim i inteligjencës amerikane javën e kaluar kishte thënë se Kabuli mund të qëndrojë për të paktën tre muaj.

Rënia e Kabulit, erdhi pothuajse saktësisht dy dekada pasi një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Uashingtoni dhe Londra rrëzuan në mënyrë triumfale talebanët në dhjetor 2001./ The Guardian – Përktheu Gazeta SHQIP