Presidenti Meta ka dekretuar të enjten, më datë 20 janar caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.

“Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë!”, shkruan kreu i shtetit.

Kujtojmë që një ditë më parë, Presidenti Meta pati një takim me kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla për të folur për datën e zgjedhjeve dhe tha se ka marrë garanci që PS nuk do e bojkotojë këtë datë. Por ajo që bie në sy tashmë është çfarë do ndodhë në partinë Demokratike dhe si do marin pjesë në këto zgjedhje të pjesshme.

Burime për gazetën Shqip nga kampi i ish-kryeministrit Berisha thanë se do marrin pjesë vetëm në zgjedhje, jo me PD e Lulzim Bashës.
Ndërkohë nga PD-ja zyrtare, Jorida Tabaku në një dalje për mediat tha se në këto zgjedhje, PD-ja do të krijojë një koalicion të gjerë opozitar, që do të jetë jo vetëm me partitë aleate, por edhe me qytetarët.

Ndër të tjera, ajo shtoi se PD-ja e ka një listë kandidatëve të mundshëm për zgjedhjet, sipas së cilës i janë nënshtruar një “vettingu” brenda në parti që para 25 prillit, ndonëse nuk preferoi që të jepte emra.

Pyetja që bëhet nga të gjithë në këto momente është a do ta mundin të ndarë Basha dhe Berisha kryeministrin Edi Rama?

Kujtojmë se në 6 bashki, Shkodra është e vetmja që drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.
Durrësi dhe Dibra mbeten pa kryetar për shkak se Dionis Imeraj dha dorëheqjen, ndërsa një deklaratë e pamenduar gjatë tërmetit të nëntorit 2019 do i kushtonte mandatin kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako. Ndarja nga jeta e Haxhi Memollës la pa kryebashkiak të zgjedhur Rrogozhinën.

VAKANCAT NË BASHKI:

SHKODËR: Valdrin Pjetri, për shkak të dekriminalizimit; vakant që prej datës 15 gusht 2019

VORË: Agim Kajmaku, për shkak të dekriminalizimit, vakant që prej datës 1 nëntor 2019

DURRËS: Valbona Sako, për shkak të dorëheqjes; vakant që prej datës 1 dhjetor 2019

DIBËR: Dionis Imeraj, Dibër, dha dorëheqjen pasi kandidoi për deputet; vend vakant që prej datës 8 mars 2021

RROGOZHINË: Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta; që prej datës 22 shkurt 2020

LUSHNJË: Fatos Tushe, u shkarkua nga Qeveria, pasi u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion, vakant që prej datës 7 korrik 2021

/Gazeta Shqip