Kjo që shihni, është Gjylsime Topalli, drejtoreshë e shkollës së fshatit Kllopçisht në Maqellarë. Ajo ka qenë drejtoreshë e shkollës së Maqellarës dhe emri i saj përmendet në bisedën e përgjuar mes Arben Keshit dhe Drejtorit Rajonal të Arsimit Drini Gjeçi. Në një raport që Partia Demokratike publikoi aso kohe, ajo akuzohet se u ka bërë presion nxënësve. Por, zonja Topalli ka reaguar për herë të parë për Top Story, duke dhënë një tjetër version.

Në raport, paradoksalisht shihet se Gjylsimja ka qenë dikur mbështetëse e Partisë Demokratike. "Pikërisht unë, u kërcënova nga ish-deputeti Flamur Noka në atë kohë për kërcënim të mësuesve dhe nxënësve, ndërkohë që unë asgjë s’kisha bërë, asgjë nuk u kisha thënë nxënësve, mësuesve. Unë i thashë në telefon zotit Noka që hajde flasim, ku do të jesh takohemi", tregon Gjyslime Topalli, Drejtoreshë e Shkollës Kllopçisht.

Zonja Gjyslime rrëfen se ka pasur një takim me ish-deputetin Noka pas bisedës telefonike. "E kërkova në Maqellarë, e takova, e sqarova, më sqaroi e në fund i thashë që më gjej një njeri në Maqellarë qoftë nxënës ose mësues e të them po, se e kam aq burrni", tregon Gjyslime Topalli, Drejtoreshë e Shkollës Kllopçisht.

Ajo, tregon se pas zgjedhjeve e shkarkuan nga detyra. Largimin e lidh pikërisht me telefonatën me ish-deputetin Noka, i cili sipas saj gëzonte pushtet pavarësisht se ishte në opozitë.

"Po të shohësh ngjarjet e mëvonshme unë nuk isha më drejtoreshë 3 ditë para se të mbyllej matura, e kjo tregon që aksesi i zotit Flamur ka qenë shumë i madh në Dibër dhe PD ka qenë shumë e fortë në Dibër", tregon Gjyslime Topalli, Drejtoreshë e Shkollës Kllopçisht. "Ajo çështje është duke u hetuar, por mesa di nuk ka pasur lëvizje të tilla nga puna dhe s’ka pasur pasoja tek asnjë mësues që është penalizuar për shkak të votës", tregon Damian Gjiknuri, ish-Kordinator i PS-së në Dibër.

https://www.facebook.com/tch.topstory/videos/2517329605018900/