Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të tentojë të bëjë një koalicion të madh me të gjitha partitë shqiptare që kanë arritur të sigurojnë deputetë në Parlamentin e vendit.


Kjo deklaratë ka ardhur nga vetë LSDM-ja e Zaevit për gazetën më të madhe të vendit Fokus në gjuhën maqedonase.


Siç bëri të ditur zyrtari i LSDM-së, Zaev, i cili ka 46 deputetë  në Parlamentin që konstituohet nesër, ndodhet për pushime në qytetin e tij Strumica, në kufi me Bullgarinë, ku dhe shërbeu dy mandate si kryebashkiak.


Zaev, sonte në darkë kthehet në Shkup dhe takimin e parë me partitë shqiptare, mësohet se do ta ketë me Menduh Thaçin që ka 1 deputet. Thaçi, është realisht i vetmi drejtues politik shqiptar që ka deklaruar qartë edhe në fushatë se lideri i preferuar nga ai për aleancë është Zoran Zaevi.


Ndërkaq, përpara BDI-së, Zaev do të takohet me Aleancën e Zijadin Selës dhe vetëm në fund me Ali Ahmetin.



Taktika e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, duket se kërkon të lodhë Ahmetin për ta ulur sadopak faktorizimin e tij politik dhe kauzën për Kryeministër shqiptar.


Ndërkaq, në mediat e Shkupit, si ato në gjuhën shqipe edhe në gjuhën maqedonase, po qarkullon këto ditë varianti i një kryeministri me rrotacion, ku 3 vjet ta ketë Zaev dhe 1 kandidati shqiptar i BDI-së, Naser Zyberi.


Vetë Ali Ahmeti, mësohet se këto ditë do të nxjerrë si tezë mbështetjen e pakushteezuar që shqiptarët i dhanë dy vjet më parë kandidatit të LSDM-së për President, Stevo Pendarov, i cili fitoi jo për shumë vota ndaj kandidates së VRMO-DPMNE-së që mori votat e shumicës së maqedonasve.


Nga  dita e nesërme duhet të kalojnë 10 ditë sipas Kushtetutës që kreu i shtetit të mandatojë liderin e partisë më të madhe.


Kreu i LSDM-së Zoran Zaev një ditë pas zgjedhjeve tha se partia e tij do të tentojë sigurimin e shumicës pa BDI-në, me qëllim që siç të mos negocionte me kushtëzime. Ndërkaq, edhe  Lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski do të zhvillojë paralelisht negociata për sigurimin e shumicës, ndërsa kreu i BDI-së, Ahmeti do të tentojë unifikimin e bllokut politik shqiptar për pozitën e kryeministrit.


Në rast se bisedimet vijojnë sipas afateve, më 14 gusht pritet konfirmimi i mandatit ndërsa votimi i Qeverisë së re mund të bëhet në javën e fundit të muajit gusht. Në zgjedhje e 15 korrikut, LSDM fitoi 46 mandate bashkë me Lëvizjen BESA, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, ASH – AAA 12, E Majta 2 dhe PDSH.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.