Qyteti i Shkodrës po përjeton ditë të errëta pas dy atentateve të ndodhura në më pak se shtatë ditë, ngjarje që kanë tronditur opinionin publik në gjithë vendin.
Mbrëmjen e 4 shtatorit, 34-vjeçari Kristjan Kola, pa precedentë penalë, u vra teksa pinte kafe në një lokal pranë ish-kinemasë “Republika”. Atentati ndodhi në qendër të qytetit, mes njerëzve, dhe ende mbetet i pazbardhur, me autorët e paidentifikuar.
Vetëm pak ditë më vonë, paraditen e sotme, një tjetër lokal në zemër të Shkodrës u kthye në skenë gjaku. Ragip Gila, 29 vjeç, duke lëvizur me motor, hapi zjarr me breshëri ndaj tavolinave. Nga plumbat humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën rëndë Eugen (Erogen) Vaso Barjoviç, i konsideruar si shënjestra kryesore, dhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Të plagosurit u dërguan në spital, me Vason që u transportua me urgjencë drejt Traumës në Tiranë për ndërhyrje jetike.
Hetimet po ndjekin një pistë të përbashkët: dyshimet janë se i njëjti person mund të fshihet pas të dyja atentateve. Dëshmitarët përshkruajnë tipare të ngjashme fizike, përdorimin e një motori dhe të njëjtat metoda ekzekutimi. Detaj i përsëritur është edhe mbajtja e një bidoni benzine, mjet i zakonshëm i autorëve për të zhdukur gjurmët.
Këto dyshime u përforcuan kur, një ditë pas ekzekutimit të Kristjan Kolës, në një fshat të Shkodrës u gjet i djegur një motor që besohet se i përkiste autorëve. Ekspertiza pritet të zbulojë detaje të reja mbi këtë gjurmë të rëndësishme.