
Bashkimi Europian ndër vite ka dhënë një ndihmë financiare prej rreth 2 milionë eurosh për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit me qëllim ngritjen e laboratorëve të analizave të cilësisë së ushqimit dhe trajnimin e stafit përkatës për kryerjen e këtyre analizave.
Këtyre parave të BE u shtohen edhe miliona lekët e dhëna nga buxheti i shtetit që AKU të garantojë sigurinë ushqimore për qytetarët. Rezultati? AKU sot nuk ka as laboratorë të certifikuar dhe as stafin përkatës të trajnuar për të kryer analizat e ushqimeve në treg, megjithëse kjo problematikë është ngritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportet e auditimit të paktën që prej vitit 2017.
KLSH thotë se laboratori i AKU-t të Tiranës ende nuk është i akredituar për kryerjen e analizave të produkteve me origjinë shtazore dhe joshtazore. KLSh rekomandon që në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, AKU të fillojë pa vonesa procesin e akreditimit të tij.
Referuar raportit të KLSH, rezulton se pajisjet “Near Infra Red Food multiparamentric analyzer”; Near Infra Red Grain Multiparametric Analyser”; dhe “Near Infra Red Ëine and Spirits multiparametric analyser”, janë të pakalibruara për rrjedhojë të papërdorshme për të dhënë një rezultat të saktë laboratorik.

Kjo do të thotë se laboratori AKU-t në Tiranë nuk mund të ofrojë një rezultat të besueshëm të analizimit të cilësisë së grurit, miellit, mishit, verërave dhe pijeve të tjera me dhe pa alkool.
Auditimi vëren se laboratori ka mangësi dhe nuk plotëson kushtet për të funksionuar si i tillë dhe KLSh rekomandon kryerjen e investimeve të nevojshme në përmirësimin e kushteve, që nga dhoma e pranimit dhe qëndrimit të mostrave, sistemi i kondicionerit, aspirimi, kalibrimi dhe vënia në funksion të plotë të aparaturave me qëllim rritjen e saktësisë dhe besueshmërisë së rezultateve të analizave laboratorike.
Gjithashtu, vërehet se mungon koordinimi mes specialistëve të laboratorit dhe inspektorëve në terren për përcaktimin e treguesve mikrobiologjikë që duhet të analizohen për një mostër të kontrolit zyrtar. Këtu, KLSH vëren anomalinë, sipas të cilës është inspektori i terrenit ai që vendos për këta tregues dhe jo specialisti i laboratorit.
Auditimi nxjerr zbuluar AKU-n e Tiranës edhe në rastet kur merr denoncime nga qytetarët. KLSh vëren se nga auditimi i dokumentacionit në 35 raste AKU nuk e ka bllokuar mallin e denoncuar si të skaduar me dokumentacionin shoqërues dhe shenjat dalluese për administrimin e tij. Pjesa më e madhe e shenjave dalluese mungon për rreth 28 mijë kilogram mish të bllokuar.
BE ka investuar mbi 2 milionë euro për pajisjet laboratorike dhe ato ndihmëse në 3 laboratorë deri në vitin 2019, por gjatë vitit 2020, për shkak të mungesës së kiteve laboratorike, por edhe stafeve dhe kushteve të punës nuk u realizua numri i mostarve të planifikuara.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.