Eduard Dervishaj është një prej shqiptarëve që ka arritur të zërë një rol të rëndësishëm në administrimin e futbollit evropian, duke ndërtuar prej vitesh një karrierë të suksesshme në Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF).

Aktualisht ai drejton Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Operacioneve, ndërsa gjatë viteve ka mbajtur edhe poste të tjera të larta në federatë, përfshirë detyrën e zëvendëssekretarit të përgjithshëm.

I lindur dhe i rritur në Tiranë, Dervishaj u vendos në Spanjë në vitin 1997, ku nisi një etapë të re profesionale që e çoi në qendër të organizimit të disa prej eventeve më të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar.

Ai ka qenë pjesë e ekipit organizativ të katër finaleve të UEFA Champions League, ndërsa në vitin 2025 iu besua një tjetër përgjegjësi madhore: drejtimi i projektit organizativ të Kupës së Botës 2030, turne që do të organizohet bashkërisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.

Në Botërorin 2026, Dervishaj ishte pjesë e delegacionit zyrtar të kombëtares spanjolle gjatë gjithë turneut në Amerikën e Veriut. Spanja zhvilloi një kampionat të shkëlqyer dhe në fund u shpall kampione e botës, duke fituar trofeun më të rëndësishëm në futboll.

Pas triumfit, ai ndau në rrjetet sociale fotografi me Kupën e Botës dhe trajnerin Luis de la Fuente, duke shprehur emocionet për këtë sukses dhe falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin e ekipit drejt titullit.

Në mesazhin e tij, Dervishaj theksoi se pati privilegjin të ishte pjesë nga afër edhe e një tjetër Botërori, duke e cilësuar këtë si përvojën e tij të dytë në një Kampionat Botëror.

Megjithatë, karriera e tij në futboll ka nisur shumë më herët në Shqipëri. Në vitet 1992–1996 ai mbajti detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke kontribuar në administrimin e sportit në një periudhë të rëndësishme për vendin.

Përpara angazhimit në strukturat drejtuese, Dervishaj ka qenë edhe trajner i Dinamos së Tiranës, duke hedhur hapat e parë në futboll nga pankina, përpara se të ndërtonte një karrierë të suksesshme në nivelet më të larta të administrimit të futbollit evropian.