Një hetim i nisur nga një sinjalizim i autoriteteve kolumbiane ka çuar policinë spanjolle te një rrjet i dyshuar kriminal shqiptar, i cili, sipas hetuesve, ishte specializuar në transportimin e sasive të mëdha të kokainës në territorin e Spanjës.
Operacioni është zhvilluar në Katalonjë dhe Costa del Sol dhe ka përfunduar me arrestimin e 15 personave. Për 12 prej tyre është vendosur paraburgimi. Gjatë ndërhyrjeve janë sekuestruar në total më shumë se 2.7 tonë kokainë, armë zjarri, automjete luksoze dhe pasuri të tjera.
Një prej pikave kryesore të hetimit ishte një vilë në Sant Just Desvern, pranë Barcelonës. Banesa ishte marrë me qira vetëm për një periudhë të shkurtër dhe, pavarësisht standardit të lartë dhe pranisë së pishinës, brenda saj kishte shumë pak mobilie.
Hetuesit dyshojnë se vila nuk përdorej për banim, por si një bazë e përkohshme për magazinimin e drogës. Gjatë kontrollit të garazhit, policia gjeti rreth 1.35 tonë kokainë.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, kontrata e qirasë ishte lidhur duke përdorur të dhënat e një personi me origjinë shqiptare, për të cilin autoritetet dyshojnë se shërbente si person fasadë.
Nga hetimi ka dalë se aktiviteti kryesor i grupit nuk ishte sigurimi apo shitja e kokainës. Roli i tij dyshohet se ishte transporti i ngarkesave nga jugu i Spanjës drejt pjesës veriore të vendit, prej nga droga mund të vazhdonte drejt tregjeve të tjera evropiane.
Për këtë qëllim përdoreshin automjete të fuqishme dhe të kushtueshme. Sipas Policisë Kombëtare spanjolle, makinat që mbanin ngarkesën lëviznin me shpejtësi që në raste të caktuara arrinin rreth 200 kilometra në orë. Hetuesit pretendojnë se grupi ishte në gjendje të përshkonte deri në 2 mijë kilometra brenda një dite.
Transporti organizohej me masa të posaçme sigurie. Automjeti me drogën shoqërohej nga disa makina të tjera, të pozicionuara përpara dhe pas tij. Detyra e tyre dyshohet se ishte të kontrollonin rrugën dhe të sinjalizonin për praninë e patrullave apo kontrolleve policore.
Edhe pronësia e automjeteve ishte organizuar në mënyrë që, sipas hetuesve, të vështirësonte gjurmimin. Disa prej makinave rezultonin të regjistruara në emër të personave të tjerë, përfshirë individë në kushte të vështira sociale.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu disa kompani të lidhura me sektorin e automjeteve. Dyshimet janë se ato mund të jenë përdorur për të siguruar makina, për të krijuar dokumentacion të rremë qiraje dhe për të fshehur ose pastruar të ardhura me origjinë kriminale.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve ishte mënyra e komunikimit. Sipas policisë, drejtuesit shmangnin sa më shumë telefonat dhe komunikimet elektronike. Për çështje të rëndësishme, ata dyshohet se udhëtonin edhe nga Marbella në Barcelonë vetëm për të zhvilluar takime të shkurtra ballë për ballë.
Autoritetet spanjolle thonë se emra të lidhur me këtë rrjet ishin shfaqur në hetime të ndryshme që prej vitit 2016, ndërsa grupi kishte krijuar reputacion në qarqet kriminale si një strukturë e aftë për transportimin e ngarkesave të drogës.
Bilanci i operacionit përfshin më shumë se 2.7 tonë kokainë të sekuestruar në Sant Just Desvern dhe Málaga, rreth 800 gramë të substancës së njohur si “tusi”, dy armë zjarri dhe 29 automjete luksoze. Autoritetet kanë ndërmarrë gjithashtu masa ndaj kripto-aseteve, produkteve financiare dhe pasurive të paluajtshme që dyshohet se lidhen me të hetuarit.
Hetimi kishte nisur një vit më parë, pasi autoritetet kolumbiane përcollën informacion për një ngarkesë kokaine me destinacion Spanjën.
Delegati i qeverisë spanjolle në Katalonjë, Carlos Prieto, e përshkroi strukturën e goditur si një grup me kapacitete të konsiderueshme financiare dhe logjistike, ndërsa theksoi se hetimet kundër trafikut të drogës do të vazhdojnë.
Deri në këtë fazë, sipas të dhënave të publikuara, hetuesit nuk kanë përcaktuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij grupi dhe ngarkesave të kokainës që hyjnë përmes portit të Barcelonës.
