
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ndodhet për një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga homologu i saj grek, Nikos Dendias.
Agjenda e diskutimeve, sipas një postimi në rrjetet sociale të kryediplomatit grek ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe kulturor, perspektiva europiane e Kosovës dhe zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i takon bashkëpunimit në fushën ekonomik, një prej kërkesave të Greqisë ishte lidhja e Kosovës me gazsjellësin e TAP përmes një nyjeje degëzimi në tubacionin kryesor nga Greqia, për të kaluar më pas në Maqedoninë e Veriut dhe përfunduar në Kosovë.
Në këmbim të kësaj kërkese, sipas disa mediave greke, Athina mund të ofrojë deri në njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Por, njohja e Pavarësisë me këtë kusht mbërrin me një kosto të madhe për Shqipërinë. Prej kohësh ekziston projekt-ideja që Kosova të lidhet me gazsjellësin TAP përmes një nyjeje degëzimi në tubacionin kryesor të gazsjellësit që kalon edhe në Shqipëri.
Projekt-ideja mbetet prej vitesh si e tillë dhe nuk ka avancuar më tej, madje nuk ishte as në tryezën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të mbajtur në Elbasan vitin e kaluar. Në vend të kësaj, në tryezë u diskutua për ndërtimin e një hekurudhe që do të lidhë të dyja vendet dhe sigurojë akses Kosovës në portet shqiptare.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.