Në tre dokumentarë me radhë Top Story nxori në pah seritë e vrasjeve në Tropojë, duke identifikuar emra, dëshmi dhe padyshim shumë të implikuar që janë brenda apo jashtë vendit. Shumë personazhe të njohur të kohës janë ekzekutuar, shumë të tjerë kanë mbetur dëshmitarë të asaj që ka përjetuar Tropoja pas viteve 1990.


Por, tashmë këtë mision e ka Prokuroria Speciale e njohur ndryshe SPAK. A duhet që SPAK të marrë në dorë hetimin e vrasjeve të frikshme të Tropojës, që ka lënë ende të hapur hakmarrjen mes fiseve?


Sipas burimeve policore të kohës, por edhe tani, kanë munguar provat për të hetuar çdo krim në Tropojë. Kanë munguar dëshmi dhe autoritetet policore lokale nuk e kanë kryer detyrën si duhet në atë kohë për shkak të rrethanave dhe të një lufte të hapur mes Haklajve, Hykave, apo fisit tjetër Hoxha.


Në serialin e vrasjeve të Tropojës nuk kanë munguar as krime të rënda ndaj përfaqësuesve të shtetit, si Anton Gjergji një efektiv i Repartit Special që në atë kohë njihej me numrin 77, apo të ish-drejtorit të Policisë së Kukësit, Jonuz Hyka.


Në legjislacionin shqiptar është parashikuar që hetimet rihapen në çdo rast kur ka elementë, dëshmi, prova, apo qoftë edhe indicie të tjera. Në rastin e vrasjeve në Tropojë dëshmitë janë të shumta, por edhe indiciet gjithashtu.


Zylfie Haklaj është njëra prej tyre, që madje, sikurse e tha edhe në dëshminë e saj ekskluzive në Top Story është gati të dëshmojë për drejtësinë, por, pa lënë jashtë hetimi apo ballafaqimi, ish-kryeministrin Sali Berisha. Ajo përmend dhe akuzon me emra ata që i kanë vrarë jo pak por 4 vëllezër, por nga ana tjetër tregon konfliktet e përgjakshme në Tropojë.


Zylfie Haklaj, Përparim Hyka, apo Besim Çera janë të paktën tre emra, dëshmitë e të cilave mund të konsiderohen kyçe në rihapjen e dosjeve që tronditën vendin në atë kohë.


Por mbi të gjitha, dëshmitar është edhe i akuzuari Sali Berisha i rënë nga pushteti dhe i dalë nga politika, ka jo vetëm në memorie por dhe në dosjet e krimit me emrin “Sali”, bilancin gjakësor të shumë jetëve të humbura në Tropojë, me pikënisje egon për pushtet absolut e sundim mbi të gjithë.


Ndërsa në Tropojë janë vrarë mbi 120 djem, familja që e ka paguar më shtrenjtë politikën përçarëse e gjakësore të inskenuar dhe realizuar prej Sali Berishës në këtë trevë është familja “Haklaj” e cila vazhdon t’i mbajë të hapura “llogaritë e gjakut” me familjen “Berisha”, gjë që edhe vetë motra e tyre Zylfija nga Suedia, ku ka përfituar azil e deklaroi disa herë prerë dhe qartë.


Ndërkohë, burime të rezervuara të Prokurorisë Speciale SPAK thanë për Gazetën Shqip se asnjë dosje nuk do mbetet pa kaluar në rihetime, nëse ka prova, apo elementë shtesë. Por, këmbënguljes për të pohuar, nëse do të jetë apo jo edhe “Dosja e Tropojës” në këtë proces, prokurorë të SPAK thanë shprehimisht: “Të gjitha, edhe Tropoja…”!