Kapja e Nuredin Dumanit të martën e 29 marsit mund të cilësohet si një nga aksionet më të rëndësishme nga ana policisë shqiptare. Një shkëmbim zjarri i ndodhur në Paper të Elbasanit, ku Dumani me njerëzit e tij kishin mbushur armët dhe bidonin me benzinë dhe ishin nisur për të kryer një atentat të mundshëm, i ktheu ato në objektiv të kundërshtarëve, duke rënë pre e një prite nga banda rivale.
Si një skenar filmash mes bandash e ku përfundoi me kapjen e keqbërësve, por që Policia arriti të prangoste vetëm njërën palë, afro 100 kilometra larg Elbasanit, në Fier.
Nuredin Dumani ishte një nga personat e shpallur në kërkim nga policia e shtetit, i njohur si një nga më të rrezikshmit e botës së krimit. Dikur ai ishte miku dhe krahu i djathtë Talo Çelës e që së bashku dyshohen se kanë kryer një sërë aktesh dhe eliminimesh së bashku.
Krisja e madhe që i ktheu nga miq në armiq të përbetuar
Historia e krisjes mes tyre nis me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës më 27 prill 2020, si edhe të Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias në 2 mars 2020, ku Nuredin Dumani akuzohet së bashku me Talo Çelën si autorë të ngjarjes.
Ishin Altin Ndoci dhe Klevis Alla që dëshmuan para policisë se kush ishin autorët e vrasjes së dy vëllezërve në Durrës që kishin një pikë servisi makinash, duke nxjerrë zbuluar Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin. Në atë kohë Altin Ndoci dhe Klevis Alla, ishin caktuar të ruanin dy vëllezërit Haxhia, të cilët më pas u ekzekutuan nga Dumani dhe Çela.
Do të ishin tabulatet telefonike ato që zbuluan krimin tjetër të Dumanit dhe Çelës pikërisht ekzekutimin e Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës. Megjithatë, hetuesit kanë dyshime se mes Dumanit dhe Çelës ka pasur mosmarrëveshje që pas eleminimit në Sinaballaj të Rrogozhinës të Klevis Kapllanajt, i vrarë me 14 plumba më 15 shtator 2020.

Dy ditë pas vrasjes së 33-vjeçarit, në automjetin e tij mëngjesin e 17 shtatorit 2020 u vra dhe Bujar Çela, i vëllai Talos. Kapllanaj dhe Dumani, sipas prokurorisë, kanë qenë miq. Pra dyshohet që Talo Çela ka ekzekutuar Klevis Kapllanajn, shokun e Nuredin Dumanit, prandaj ky i fundit në shenjë hakmarrjeje i ka vrarë të vëllanë, Bujar Çelën.
Çela ishte shpallur në kërkim për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas, pasi akuzohej se në servisin e tij, kishte ndihmuar autorët që të modifikonin furgonin me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, në mënyrë që askush të mos dyshonte tek ata.
Modifikimi i mjeteve ishte një praktikë e njohur për Çelën. Të njëjtën gjë, i shumëkërkuari që ka kthyer pas disa herë grupet e forcave RENEA kishte praktikuar edhe në serviset e katër viktimave. Nuk dihet nëse Shkoza dhe Avdiaj kishin lidhje me grabitjen e Rinasit, por servisi i tyre ishte përdorur për ç’montim mjetesh nga Çela dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pavarësisht shpalljes në kërkim, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, nuk reshtën. Të fshehur skutave dhe me plane shumë të mirëorganizuara, të dy nuk e ndalën aktivitetin e tyre. Në korrik të vitit 2020-të Dumani do të përfshihej në një tjetër krim, këtë herë në rolin e shoferit. Dumani, sipas ABC NEWS, do të ekzekutonte dhe Emiljano Ramazani, babain e 4 fëmijëve të njohur me emrin “Ili”. Bashkë me Çelën, të dy i ranë rrotull vendit të krimit katër herë, si për të provuar dhe njëherë adrenalinën përballë autoriteteve, por pavarësisht postoblloqeve të ngritura, askush s’i pikasi.

Pas krimit Kapllani ka vendosur armën në servisin që është në pronësi të Albert dhe Seit Manahasës në qytetin e Peqinit, për t’i fajësuar ata për këtë ngjarje. Të dy u vunë në pranga bashkë me katër persona të tjerë, pas gjetjes së armës. Kreshnik dhe Ymer Manahasa, Artur Tosku si dhe Bujar Dervishi u liruan pasi ndaj tyre nuk u gjetën prova. Ndërsa Albert dhe Seit Manahasa janë në burg.
Ramazani kishte njohje me Talo Çelën, por ‘era’ e parave të Rinasit, ishte futur edhe mes tyre. Dumani, i kënaqur që eliminoi dhe tjetër ‘përfitues’ u nis të fshihej bashkë me Kapllanin. Të dy bashkë, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj të Rrogozhinës dhe njerëzit që i njihnin i identifikonin me njëri-tjetrin. Por dhe kjo miqësi, do të thyhej, e sërish për shkaqe parash.
Por në 15 shtator të vitit 2020-të do të fillonte dhe krisja e madhe e grupit, shkak ishin paratë e vjedhura të Rinasit. Më 15 shtator u vra dhe Klevis Kapllani, vetëm 200 metra larg banesës së tij, pak orë pasi kishte dalë të pinte disa birra me shokët. Edhe për këtë ngjarje, u akuzua dhe u shpall në kërkim Nuredin Dumani. Këtij të fundit, policia i zuri edhe pritë me shpresën se do të paraqitej në funeralin e mikut që vrau, por 37-vjeçari nga Dibra që u kishte shpëtuar kaq shumë herë duarve të bluve, nuk e hëngri këtë karrem. Ai gjeti strehë dhe nuk doli, deri në goditjen e radhës.
Dumani tashmë e kishte shtrënguar rrethin mjaftueshëm, dhe i vetmi mik që i kishte mbetur pa goditur ishte Talo Çela. Këtë të fundit, në pamundësi për ta takuar askush, Dumani u hakmor tek i vëllai, duke vrarë Bujar Çelën në 17 shtator, teksa ky i fundit punonte si taksist në të zezë. Në këtë vrasje Dumani nuk ishte i vetëm. Ai ishte vetë i tretë dhe rrobat që mbante veshur, e kanë nxjerrë zbuluar nga kamerat e lokalit, në verandën e të cilit, eliminoi edhe të vëllanë e bashkëpunëtorit, me të cilin kishte bërë një rrugë të gjatë krimesh.
Nuredin Dumani për drejtësinë shqiptare njihet pasi, ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka provuar qelinë edhe për akuzën e vjedhjes.
“Killer” i Erion Alibejt
Për dy nga vrasjet e Dumanit dyshohet se ai ëhstë urdhëruar nga Erion Alibej. Jo vetëm dëshmitarët e ngjarjes së Rinasit, por Dumani me urdhërt të Alibejt, ka kryer të tjera vrasje, për shkak të hakmarrës që Alibejt kërkjonte, dhe kjo psasi më herët i kishin vrarë vëllain. Vëllai i Alibejt i njohur ndryshe me emrin “Tarzani” u ekzekutua 3 ditë para ndërrimit të viteve në 2018-n.
Alibej, pasardhësi i të vëllait, dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e Ilit (Emiljano Ramazani) dhe Regis Runajn. Ky i fundit, vinte nga një familje pa lidhje me botën e krimit, kjo pasi i ati ka punuar si shofer në Policinë e Elbasanit, ndërsa e motra punon në Gjykatën e Rrethit. Vrasja e Runajt dyshohet se erdhi pas ekzekutimit të mikut të tij Ramazani, pasi Runaj mund të ketë ‘nuhatur’ gjurmët e autorëve të vërtetë.
Më 29 korrik, nëntë ditë pas ekzekutimit të Ramazanit, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, pasi konsumuan lëndë narkotike me Runajn, e vranë atë me thikë. Halili është bërë edhe bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ka rrëfyer të gjithë zanafillën e ngjarjes. Në pranga në lidhje me këtë ngjarje ka rënë edhe Erjon Shehu, kunat i Xhuliano Hoxhës.
Halili dhe Hoxha akuzohen gjithashtu se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit. Ata dyshohet se janë personat që kanë informuar ekzekutorët për lëvizjet e Ramazanit, në mënyrë që ‘puna’ e tyre, të bëhej më e lehtë. Përpara grupit hetimor, ata rrëfyen se urdhërin për këto dy krime, përgjimin e Ilit dhe vrasjen e Runajt, e kishin marrë nga Alibej në këmbim të parave. Vetë Alibej, nuk ka hapur gojë, për asnjë nga ngjarjet kriminale për të cilat akuzohet.
Ndërsa, vrasja e Çelës, vëllait të Talo Çelës, ishte mënyra e Erion Alibejt për të marrë hak për vrasjen e vëllait të tij, Endritit, që ia morën jetën në sy të gruas dhe fëmijëve. Erion Alibej, kishte mësuar se Talo Çela dinte gjithçka rreth ekzekutorëve të Endrit Alibejt, por nuk ia kishte treguar. Kështu, duke vrarë Bujar Çelën, mori hak.
Kush është Talo Çela?
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërit Haxhia në Durrës. Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia. E bashkë me në kërkim është shpallur edhe Nuredin Dumani. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka deklaruar se ditën e vrasjes kanë qenë edhe vetë Talo Çela dhe Nuredin Dumani, dhe e gjitha sipas tij lidhet me disa lekë të humbura./ Gazeta Shqip