Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas një problemi të rëndë shëndetësor. Ai ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak, teksa prej disa ditësh po mbahej nën kujdesin e mjekëve në një spital privat të Tiranës.
Figura e tij mbetet ndër më të rëndësishmet e tranzicionit politik shqiptar, një politikan kompleks që për gati tri dekada ndikoi thellë në jetën politike dhe shoqërore të vendit.
I lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë, Nano u diplomua për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës në vitin 1974. Para rënies së komunizmit, ai punoi si studiues në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, nën drejtimin e Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha.
Në dhjetor 1990, gjatë ndryshimeve të mëdha politike, Nano u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe vetëm një muaj më pas zv/kryeministër. Në shkurt 1991, Ramiz Alia i besoi postin e kryeministrit, duke e ngarkuar me detyrën për të përgatitur Shqipërinë për kalimin nga komunizmi drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Pas zgjedhjeve të para pluraliste në 31 mars 1991, Nano mbeti në krye të qeverisë, por u detyrua të jepte dorëheqjen pas një vale grevash kombëtare. Në vitin 1993, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, ai u arrestua dhe u dënua me 12 vite burg për shpërdorim detyre një vendim që shumëkush e cilësoi si politik.
Në trazirat e vitit 1997, Nano u lirua nga burgu dhe vetëm tre muaj më vonë riktheu socialistët në pushtet, duke marrë sërish drejtimin e qeverisë. Ai u vlerësua për stabilizimin e vendit pas kolapsit të firmave piramidale dhe për kthimin e rendit në një Shqipëri të rrënuar ekonomikisht.
Nano dha dorëheqjen si kryeministër më 28 shtator 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, por mbeti në krye të Partisë Socialiste, duke ruajtur ndikimin politik për vite me radhë.
Ai u rikthye edhe njëherë në postin e kryeministrit në korrik 2002, deri në humbjen e zgjedhjeve të vitit 2005, kur pushteti kaloi te rivali i tij historik, Sali Berisha.
Pas kësaj humbjeje, Nano u tërhoq përfundimisht nga politika aktive, duke deklaruar se ishte koha për t’i lënë vend brezave të rinj.
Nano u martua fillimisht me Rexhina Nanon, me të cilën ka dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën. Pas divorcit në vitin 2002, ai u martua me Xhoana Nanon.
I njohur për stilin e tij liberal, ironinë karakteristike dhe qëndrimet e forta, Fatos Nano mbetet figura që shndërroi Partinë Socialiste nga një parti e trashëguar nga komunizmi në një forcë moderne socialdemokrate me orientim të qartë perëndimor.
