Biznesmeni italian Davide Pecorelli, i burgosur në burgun 313 në Tiranë ka ndërprerë grevën e urisë që kishte nisur më 16 korrik. Pecorelli është shprehur se gjatë kësaj kohe ka humbur 6 kilogram. Greva e tij e urisë bazohet te mosdorëzimi, mbi dy muaj pas arrestimit, i arsyetimit të vendimit gjyqësor, gjë që e pengon të bëjë ankim. 

Ndërkohë më 31 korrik, Gjykata e Apelit në Shqipëri ka depozituar motivimin e vendimit të dënimit, duke i lejuar kështu të paraqesë ankim në Gjykatën e Lartë. Në letrën ku denonconte kushtet e tij të izolimit dhe njoftonte fillimin e grevës së urisë shprehej se jeton në një qeli prej 16 m² me 8 persona të tjerë, pa ujë të rrjedhshëm dhe me minj në tualet.

Davide Pecorelli u zhduk në janar të 2021 në Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë në vëmendje edhe “historinë” e tij se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur.

Më 8 maj 2025 biznesmeni italian Davide Pecorelli është ekstradua në Shqipëri. Ai u mor në dorëzim në Rinas nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për tu dërguar në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale.

Gjykata e Apelit e Perugias i dha dritën jeshile në maj të vitit të kaluar ekzekutimit të urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar më 2 tetor 2022 nga gjykata e Shkodrës, që e dënoi me 4 vite burg për veprat penale “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.