Në Shqipëri ideja e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore është hedhur gjatë mandatit të parë të qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Propozimet e bëra nga radhët e mazhorancës u rrëzuan nga kryeministri, pasi nuk ishin kushtet e favorshme për kushtet aktuale të Shqipërisë. Tashmë në mandatin e dytë të qeverisjes, Rama po shkon drejt pranimit të legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Nga emisioni “Zonë e lirë”, kreu i qeverisë deklaroi se “Po e studiojmë këtë mundësi. Jemi shumë të avancuar, por ende nuk jemi në kapitullin e fundit. E kam fjalën për ligjërimin e prodhimit të kanabisit për arsye mjekësore”.


“Top Story” në një speciale kushtuar çështjes, ka vënë në dukje faktin se kjo industri mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike në arkën e shtetit shqiptar. Në të përmendej se nga paligjshmëria e kultivimit të bimës kanabis sativa Shqipëria krijohen 250 milionë euro të ardhura.


“Të gjitha të ardhurat që mund të kemi ne, që mund të vijnë në rrugë të shtrembër, në rrugë informaliteti, janë 250 milionë euro të ardhura. Por nëse ne e përpunojmë këtë në Shqipëri dhe ngremë fabrika përpunimi që ne të prodhojmë ilaçe , të ardhurat do të rriten dyfish”, do të deklaronte Agim Binaj, ekonomist gjatë emisionit Top Story.



Rajoni i Ballkanit, vendet që po e aplikojnë


Në Greqi e shikojnë biznesin e kanabisit për qëllime mjekësore si një mundësi mjaft të mirë për të përfituar ekonomikisht. Qeveria e Kyriakos Mitsotakis ka llogaritur që me dhënien e licencave për kompanitë e interesuara, do të investohen rreth 360 milionë euro si dhe do të krijohen 2250 vende pune.


Greqia e ka legalizuar kanabisin mjekësor në vitin 2017, ndërsa në 2018-ën hoqi një ligj që dënonte kultivimin dhe prodhimin. Fqinj tjetër lindor, Maqedonia e Veriut, ndryshoi legjislacionin e saj në vitin 2016, duke legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore.


Duhet thënë se në industrinë e prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore është e përfshirë edhe familja e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev. Kushëriri i tij, Trajçe Zaev, është njëri nga investitorët më të mëdhenj në këtë industri.


Në Maqedoninë e Veriut llogarisin që të ardhurat nga ky biznes të trefishohen dhe në këtë kontekst ne kemi projektuar hyrje buxhetore në vlerë 100 milionë euro gati çdo vit.


Në rajonin Ballkanit shteti i parë i cili vendosi të legalizonte kultivimin kanabisit për qëllime mjekësore ishte Kroacia në vitin 2015. Parlamenti vendosi që të shitej dhe të përdorej për trajtime mjekësore bima në farmaci.


Në Malin e Zi dhe në Serbi, autoritetet dënojnë këdo që kultivon kanabis për qëllime mjekësore, ndërsa ligjvënësit e kundërshtojnë këtë si praktikë. Në Bullgari, lejohet që të kultivohet kanabisi për qëllime mjekësore, por me rregulla të rrepta dhe fermerët apo kompanitë duhet që të marrin licencë.


Shtetet e BE-së


Nga studimet e kryera rezulton se tregu europian i kanabisit do të kapë vlerën e 123 miliardë eurove deri në vitin 2028. Në vitet e fundit, perceptimi për kanabisin mjekësor në Bashkimin  Evropian ka ndryshuar së tepërmi. Tani shtetet anëtare kanë një tjetër qasje sa i përket legalizimit, kultivimit dhe tregtisë së kanabisit mjekësor.


Gjithçka nisi në vitin 2017, kur Gjermania vendosi që ta legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore, e kjo pati një efekt bindës edhe te shtetet e tjera.


Portugalia, Danimarka, Polonia, Italia, Çekia, madje edhe Britania e Madhe që tani nuk është më pjesë e unionit ndryshuan rregullat e tyre në lidhje me kanabisin mjekësor.


Gjermania u ka dhënë disa kompanive licenca dhe e ka rritur cilësinë e kanabisit medicinal që mund të importohet. Ligjvënësit europianë po punojnë për ta harmonizuar procesin mes shteteve të BE-së.


Shtete si Malta, Greqia, Danimarka, Spanja, Portugalia dhe Izraeli janë të përgatitura për të prodhuar kanabis mjekësor me cilësi të lartë dhe janë gati për të eksportuar.


Ndërkohë që shteti si Çekia, Italia, Holanda janë ndër disa që akne krijuar një skemë specifike për përgatitjen e kanabisit për trajtimin e një sërë sëmundjesh për kushte mjekësore specifike.


Vaji i kanabisit dhe efektet


Të shumtë janë mjekët evropianë, të cilët në recetat e tyre në vendet që e lejojnë japin preparate me përbërje kanabisi.


Duhet thënë se disa nga efektet e bimës kur përdoret nga pacienti janë: lehtësimi i dhimbjeve kronike; përmirëson kapacitetin mushkërive; ndihmon në uljen e peshës; rregullon dhe ndalon diabetin;  lufton kancerin, ndihmon në trajtimin depresionit; ka pasur rezultatet të mira te autikët;  përdoret të pacientët me epilepsi; rregullon kockat; është trajtim për glaukomën; lufton stresin; ngadalëson sëmundjen e Alzheimerit (humbja e kujtesës); ndihmon personat me probleme me alkoolin dhe ata që kanë probleme me stomakun.


Kanabisi mjekësor vlerën më të madhe të përfitimit ekonomik e ka kur kthehet në vaj, pasi përdoret për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Sipas specialistëve nga një litër vaj kanabisi fitohen deri në 95 mijë euro.



Procesi i bërjes së vajit të kanabisit kryhet nga njerëz të specializuar dhe nga makineri të posaçme për realizimin e tij. Kjo për të pasur një cilësi sa më të lartë të vajit të kanabisit.


Kanabisi që kultivohet me llamba, ka Tetrahydrocannabinol (THC) më të lartë dhe është më cilësor, ndërsa kanabisi që prodhohet në ambiente të jashtme ka përqindje më të lartë të CBD-së dhe është i cilësuar si kanabis industrial.