Numri dy i PS, Taulant Balla kërkon që OFL (Operacioni Forca e Ligjit) të sekuestrojë pasuritë e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezit.


Kërkesa e Ballës për OFL-në bëhet për rastin grabitjes së ish- kompleksit Partizani, gjatë qeverisjes Berisha, për të ndërtuar më pas aty një kompleks pallatesh me vlerë 20 milionë euro për interes të dhëndrit të Sali Berishës.


“Në vitin 2012 kam denoncuar grabitjen e kompleksit Partizani, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit mu në qendër të Tiranës. Pas shtatë vitesh grabitësit hoqën maskat dhe vetëm me 35 mijë lekë familja e Sali Berishës është tashmë pronare e 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë eurosh. Asokohe qeveria e Sali Berishës e privatizonte kompleksin “Partizani” tek disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Në kohë rekord nga tetori i vitit 2008 deri në dhjetor të atij viti Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami, anëtar i qeverisë së vjehrrit të Malltezit, përfundoi të gjitha procedurat për kalimin e pronësisë së tokës dhe shitjen e hotelit gjigant dhe ndërtesave me 100 milionë lekë të vjetra.”, shkruan Balla.


Ka qenë Gazeta SHQIP që zbuloi ekskluzivisht skandalin, ku Jamarbër Malltezi, me vetëm 35 mijë lekë u bë pronar i kompleksit me 17 pallate me vlerë 20 milionë euro.


Skema e përfshirjes në aksione të “Abit”


Në shtator 2013, kompania “Homeplane” në bashkëpunin me “Kontakt” marrin leje zhvillimore për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek zona e ish-kompleksit Partizani. Leja, e dhënë nga Lulzim Basha, është zbardhur nga Bashkia e Tiranës në 18 gusht 2013 dhe vetëm 6 muaj pas nisjes së punimeve, dhëndri i Sali Berishës futet si aksioner i këtij investimi miliona euro.


Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35% tek kompania “Homeplane”, me kontribut 35 mijë lekë. Pra, e thënë më thjeshtë, me 35 mijë lekë, dhëndri i Sali Berishës merr 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë eurosh


Jamarbër Malltezi, është shtuar si aksioner te kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018, ndërsa këto aksione i ka blerë në 23 janar të vitit 2014. 


Firma e ndërtimit “Homeplane” është themeluar nga biznesmeni Fatmir Bektashi në vitin 2008 dhe objekt i saj ishte fusha e ndërtimit.


Postimi i Taulant Ballës


Forca e Ligjit nuk mund të vonojë hetimin e pasurive të vendosura nga korrupsioni, ndikimi i paligjshëm dhe abuzimet me pasuritë e shqiptarëve. Fillimi i hetimeve të pavarura për ish-kompleksin “Partizani”, privatizimin e tij me një vlerë qesharake sa një hyrje apartamenti 2+1 në atë zonë, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shpërdorimin e detyrës së zyrtarëve të përfshirë dhe vepra të tjera penale. Sa pronarë të ligjshëm ka në Shqipëri që nuk u janë kthyer pronat e tyre, ndërkohë që Sali Berisha i dha këtë super pronë dhëndrit të tij?


Në vitin 2012 kam denoncuar grabitjen e kompleksit Partizani, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit mu në qendër të Tiranës. Pas shtatë vitesh grabitësit hoqën maskat dhe vetëm me 35 mijë lekë familja e Sali Berishës është tashmë pronare e 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë Eurosh.


Asokohe qeveria e Sali Berishës e privatizonte kompleksin “Partizani” tek disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Në kohë rekord nga tetori i vitit 2008 deri në dhjetor të atij viti Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami, anëtar i qeverisë së vjehrrit të Malltezit, përfundoi të gjitha procedurat për kalimin e pronësisë së tokës dhe shitjen e hotelit gjigant dhe ndërtesave me 100 milionë lekë të vjetra.


E kam denoncuar këtë akt të të rëndë korruptiv në atë kohë për disa javë rrjesht, duke publikuar të gjithë dokumentacionin. Madje mu desh të përballem me salinjtë edhe ne Gjykatë për këtë dosje korruptive.


Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35 % tek kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018, me kontribut 35 mijë lekë. Jamarbër Malltezi i ka blerë këto aksione në 23 janar të vitit 2014, pra shumë më herët sesa regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.


Ai nuk e ka regjistruar kontratën në QKB, për të qëndruar i fshehur si ndërtues. Kompania “Homeplan” në bashkëpunim me “Kontakt” kanë aplikuar për një leje zhvillimore për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, tek zona e ish Kompleksit Partizani, pas Inxhinierisë së Ndërtimit. Leja zhvilliore është zbardhur nga Bashkia e Tiranës me firmën e Lulezim Bashës më 18 gusht 2013 dhe vetëm pas 6 muajsh pas nisjes së punimeve, Jamarbër Malltezi futet si aksioner i këtij pallati ndërtimi.


Në këtë mënyrë nga një pronë prej 144 metrash tokë, Jamarbër Malltezi u bë pronar i më shumë se një të tretës të një kompleksi pallatesh me vlerë mbi 20 milionë euro. Kaq e thjeshtë ishte që nga një grabitje e kompleksit “Partizani”, sot berishët me dhëndurë e kompani janë super-milionerë në mënyrë të paligjshme.