Klevis Alla është një ndër të fundit në listën e atyre që pasi është zbuluar si autor i një krimi merr vendimin për të bashkëpunuar me Drejtësinë, duke shmangur të paktën një dënim të rëndë, e sidomos kur është vetëm 22 vjeç.
Por, dëshmia e tij, ose më saktë statusi i tij “i penduar” ka një kosto për shtetin dhe taksapaguesit. Sepse, në rastet e marrjes së statusit, ai, por edhe familja gëzojnë benifite si kurrë më parë. Të ardhura për familjen, roje sigurie që paguhen nga shteti, shoqërime me makina shtetërore të familjarëve, apo fëmijëve në rastet kur është kryefamiljar. Vetë i penduari nuk ka ato kushte në burg si të dënuarit e tjerë.
Zbardhja e ngjarjeve kriminale nëpërmjet dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, përveç goditjes se autorëve shoqërohet edhe me një kosto të lartë financiare për shtetin. Programi për mbrojtjen e dëshmitarëve parashikon jo vetëm garantimin e jetës së personit dhe familjes së tij, por edhe strehimin, trajtimin financiar, mjekësor, arsimimin e deri te trajtimi psikologjik. Pavarësisht kësaj kostoje, ky program është vlerësuar si i suksesshëm duke garantuar vazhdimësinë dhe zgjerimin e tij.
Ndryshimi i vendbanimit është nga veprimet e para që zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve ndërmerr ndaj bashkëpunëtorit të Drejtësisë që ka fituar këtë status. Agjentë të zyrës kujdesen për të gjetur një banesë në një qytet tjetër, ku akomodohet personi që ka fituar trajtimin e posaçëm, së bashku me familjen e tij.
Shpenzimet e banesës, e cila duhet të ketë minimalisht kushtet e banesës që familja e marrë në mbrojtje ka pasur më parë sigurohen dhe paguhen nga vetë zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve. Vendndodhja e banesës mbahet sekret dhe atë e dinë vetëm agjentët që kujdesen me ruajtjen fizike të personave të marrë në mbrojtje. Në raste të veçanta, përveç ruajtjes me agjentë në banesën e bashkëpunëtorit mund të montohen edhe kamera vëzhguese, në rast se këtë masë e pranon edhe vetë bashkëpunëtori.
Lëvizjet e personit të marrë nën ruajtje dhe familjarëve të tij kryhen nën vëzhgimin dhe shoqërimin e agjentëve të zyrës për mbrojtjen e dëshmitarëve. Për raste të veçanta, kur shkalla e rrezikut vlerësohet e lartë, strehimi i personit të marrë nën mbrojte dhe familjes së tij realizohet edhe jashtë vendit, siç është vepruar në dy raste.
Trajtimi financiar i personave të marrë nën mbrojtje është një tjetër detyrim i shtetit ndaj këtyre personave. Burime pranë zyrës për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, thonë se para zbatimit të programit ekonomistët e zyrës përllogarisin të ardhurat e personit ose familjes që do të merret në mbrojtje.
Sipas ligjit në bazë të të cilit funksionon kjo zyrë, trajtimi financiar nuk duhet të jetë më i madh se të ardhurat që personi ose familja siguronte më parë. Qëllimi i këtij programi sipas burimeve është mbrojtja e bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe jo rritja e të ardhurave ekonomike të tyre.
Ndryshimi i identitetit është një tjetër trajtim që zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve realizon ndaj personave që fut në program. Ndryshimi i identitetit bëhet në raste, kur shkalla e rrezikshmërisë që i kanoset dëshmitarit vlerësohet tepër e lartë. Por në asnjë rast, identiteti nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin edhe të vetë personit dhe familjarëve të tij që janë marrë nën mbrojtje.
Ky është statusi i veçantë për të gjithë ata individë, të cilët me dëshmitë, deklarimet apo informacionet e tyre do të ndihmojnë sadopak strukturat hetimore në zbulimin e aktiviteteve të organizuara kriminale.
Drejtoria për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe luftës kundër krimit të organizuar, e ngritur prej vitesh në Ministrinë e Brendshme ka tashmë një “check list” me personat që janë pjesë e atyre që përfshihen në programin e Mbrojtjes.
Nëse gjykohet se dëshmitari apo bashkëpunëtori me dëshminë e tij luan një rol deciziv në zbardhjen e një ngjarjeje apo aktiviteti kriminal, atëherë ai do të përfitojë një sërë favoresh dhe privilegje.
Të njohur ndryshe si “të penduarit” e drejtësisë, ata mund të përfitojnë edhe shmangien e përgjegjësisë penale në qoftë se u japin strukturave hetimore informacione të rëndësishme me anë të të cilave mund të zbulohet veprimtaria e organizatave të ndryshme kriminale.
Dhënia e statutit të të pandehurit të drejtësisë nuk është morale, por një gjetje ligjore që në Italinë e mafies së fortë të viteve ‘80-‘90 funksionoi duke i dorëzuar drejtësisë shumë kriminelë. Edhe në sistemet demokratike me drejtësi më të konsoliduar, ky instrument funksionon, por nuk përfaqëson gjithë sistemin, sepse është vetëm një mekanizëm i tij.