Kosova po përjeton ditët e fundit dy situata nga më të çuditshmet. E para ndodh me politikën, e cila është në krizë dhe e dyta lidhet me futbollin. Kombëtarja e futbollit në këtë vend të vogël dhe vetëm pak vite në pavarësi të plotë po kthehet në një simbol bashkimi, ashtu siç ndodh me sportin në të gjithë botë.

Dhe statistikat janë ato që nuk zhgënjejnë asnjëherë. Nëse u referohesh pikërisht shifrave, Kombëtarja e Kosovës ka 615 ditë pa pësuar humbje, në të gjitha kompeticionet e pjesëmarrjes.
Por argëtimi përmes futbollit nuk është thjeshtë dhe vetëm një 90 minutësh, ku njerëzit kanë mundësi të kalojnë emocionet e një fitoreje. Ndeshjet e përfaqësues së Kosovës kanë rritur ndjeshëm edhe optimizmin, pikërisht në momentin e një situate tejet të lodhshme të politikës, me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë në prag, një fushate që ka nisur mes partive, ende pa koalicione fikse e të tjera.

Por a mund të ndodhë që një kombëtare në një ndeshje të kthejë optimizmin?! Mendoj se po, sepse qytetarët e Kosovës ndjehen më krenarë për përfaqësimin e tyre, ndjehen më të fortë në "luftën sportive" e përkthyer kjo më të fortë në arenën ndërkombëtare.

Nuk do të jetë aspak çudi që Kosova me emrin e deritanishëm në futboll, të marrë benifite të karakterit politik. Sepse, ka ndodhur gjithmonë që përmes futbollit, ndasitë politike shpesh të kenë qasje krejt tjetër jo vetëm brenda vendit, por edhe në qarqe ndërkombëtarësh, që vendosin fatet e vendeve të vogla.

Nuk do të ishte aspak çudi, që vende skeptike deri tani në njohjen e Kosovës të kishin një tjetër mendim pas asaj që po ndodh me futbollin në Kosovë.
Por mbi të gjitha Kosova, ka një optimizëm të brendshëm, aq sa krenaria e "çunave të Kosovës" në fushën e gjelbër të stadiumit "Fadil Vokrri" duket se do të jetë një ogur i mirë i së ardhmes.
Sepse Kosova po i bën vetës emër.

©Copyright Gazeta SHQIP