Noelia Castillo Ramos, 25 vjeç, rrëfeu se ishte përdhunuar në dy raste: fillimisht nga ish-i dashuri i saj dhe më pas nga tre të rinj në vitin 2022 – një përvojë që ajo e përshkroi si pikë kthese në jetën e saj.

Në tetor të vitit 2022, pas një tentative të mëparshme për vetëvrasje me mbidozë ilaçesh, ajo u hodh nga kati i pestë i një pallati, në një përpjekje të dëshpëruar për t’i dhënë fund jetës, nën ndikimin e kokainës, sipas vendimeve gjyqësore.

Rënia e la atë paraplegjike, ndërsa raportet mjekësore tregojnë se ajo vuan nga dhimbje të forta, kronike dhe të pamundura për t’u përmirësuar.

Noelia, nga Barcelona e Spanjës, do t’i nënshtrohet sot eutanazisë pas një beteje të gjatë ligjore me të atin, e cila përfundoi në favor të saj me një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Dua të iki tani në paqe dhe të ndaloj së vuajturi, pikë,” tha Noelia në një intervistë për programin televiziv spanjoll Y Ahora Sonsoles, e regjistruar në shtëpinë e gjyshes së saj.

E reja, e cila jeton në një qendër kujdesi në Barcelonë, u shpreh se ka qenë “shumë e qartë” për dëshirën e saj për të vdekur që në fillim.

Beteja me familjen

“Asnjë nga familjarët e mi nuk është në favor të eutanazisë. Por çfarë ndodh me gjithë dhimbjen që kam përjetuar gjatë gjithë këtyre viteve?” – tha ajo.

“Lumturia e një babai, e një nëne apo e një motre nuk mund të jetë më e rëndësishme se jeta e një vajze.”

Ajo shtoi se është ndjerë “gjithmonë vetëm” dhe se e ka parë botën e saj “shumë të errët”, madje edhe para se të kërkonte eutanazinë. Nuk ndjen më dëshirë për të bërë asgjë, vuan nga dhimbje në shpinë dhe këmbë, ndërsa gjumi për të është bërë “shumë i vështirë”.

Nëna e saj, Yolanda “Yoli” Ramos, deklaroi për mediat spanjolle se, megjithëse ende shpreson që vajza e saj të ndryshojë mendim, ajo do të qëndrojë pranë saj “deri në fund”.

Noelia u shpreh se dëshiron të “vdesë duke u dukur bukur”, duke shtuar se do të veshë fustanin e saj më të bukur dhe do të vendosë pak grim.

Ajo tha se, megjithëse ka ftuar familjarët për t’u përshëndetur për herë të fundit, dëshiron të jetë vetëm në dhomën e saj në qendrën e kujdesit në momentin e vdekjes.

Në çastet e fundit, ajo do të ketë me vete katër fotografi: një ku ajo pikturon portretin e nënës së saj, një të qenushit të saj të fëmijërisë, një tjetër nga dita e parë e shkollës dhe një të katërt nga fëmijëria – të cilat, sipas saj, përfaqësojnë momentet “e lumtura” të jetës së saj.

Noelia ka qenë në trajtim psikiatrik që prej moshës 13-vjeçare, pas ndarjes së prindërve të saj. Më vonë ajo u diagnostikua me çrregullim obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe çrregullim të personalitetit kufitar (BPD).

Një betejë ligjore dyvjeçare

Kërkesa e Noelias për eutanazi u miratua fillimisht nga një komision i specializuar ekspertësh në Katalonjë në korrik të vitit 2024, ndërsa procedura ishte planifikuar për më 2 gusht 2024. Megjithatë, ajo u bllokua që prej asaj kohe nga i ati i saj.

Geronimo Castillo, i mbështetur nga organizata ultra-konservatore Abogados Cristianos (“Avokatët e Krishterë”), argumentoi se gjendja mendore e Noelias e pengonte atë të merrte një vendim të ndërgjegjshëm për t’i dhënë fund jetës.

Gjatë një beteje ligjore që zgjati pothuajse dy vjet, ai e çoi çështjen nëpër të gjitha shkallët e gjykatave spanjolle, deri sa ajo përfundoi në gjykatën më të lartë të vendit, Gjykatën Kushtetuese, në shkurt. Gjykata hodhi poshtë argumentet e tij, duke vendosur se nuk kishte pasur asnjë shkelje të të drejtave themelore.