Kleana Xhuveli ka siguruar mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës, ndonëse ishte e katërta në listën e mbyllur të këtij subjekti. Ajo ka një lidhje të ngushtë familjare me kryetarin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj — është vajza e tezes së tij dhe është rritur në familjen e tij, ndaj shpesh Lapaj i është referuar si “motra ime”.
E re në moshë, vetëm 26 vjeçe, Xhuveli ka qenë aktive gjatë fushatës, duke mbajtur role organizative në strukturat e koalicionit. Në bazë të një marrëveshjeje të mëparshme mes dy forcave përbërëse të koalicionit — “Nisma Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet” — kandidatët në listën e mbyllur kishin firmosur dorëheqjen paraprake, për t’i lënë vend kandidatit më të votuar nga lista e hapur. Në këtë rast, mandati duhej të kalonte te Adriatik Lapaj.
Por skema u komplikua kur Zeqir Kordhoni, një i afërm i drejtuesit të “Nisma Thurje”, Endri Shabani, kërkoi të marrë mandatin. Sipas Shabanit dhe Kordhonit, kjo kërkesë mbështetej në një deklaratë të mëhershme të Lapajt, i cili kishte shprehur gatishmërinë për të hequr dorë nga mandati nëse koalicioni siguronte vetëm një vend në Kuvend.
Fillimisht, vendosja e Xhuvelit në pozicionin e katërt në listë kishte si synim lehtësimin e kalimit të mandatit drejt listës së hapur. Por, për shkak të tensioneve dhe kundërpretendimeve që lindën, Lapaj vendosi të mos lejojë që mandati t’i kalonte “Nismës Thurje” dhe aktivizoi mandatin për Kleana Xhuvelin.
