I riu që tmerroi një lagje të tërë në Tiranë, e cila ishte thuajse në qetësi të plotë pas afro një muaj izolimi nuk është një emër i panjohur për Policinë. Ai është Orges Bilbili, që ka arritur t’u shpëtojë 14 operacioneve policore që janë ndërmarrë për arrestimin e tij.
Por, përpara tentativës për të vrarë një polic të patrullave “Shqiponja” në Tiranë, Orges Bilbili akuzohet për një vrasje të dyfishtë.
Aktualisht gjendet në listën e personave të kërkuar nga Policia shqiptare i dënuar në mungesë me 7.4 vjet heqje lirie. Dënimi i ulët, sipas dosjes vjen si rezultat i mungesës së provave. I vetmi fakt që mban në këmbë akuzën është vetëm një dëshmitar.
Sipas dosjes penale në ngarkim të Orges Bilbilit ai akuzohet për vrasjen në vitin 2017 të shtetasve Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, të cilët njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurtit).
Ky i fundit mbeti i plagosur me 25 shtator të vitit 2016 së bashku me shokun e tij Saimo Xheliu 25 vjeç në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja e djeshme.
Për ngjarjen e vitit 2016, ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xheliu nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu 25 vjeç. Ky i fundit dyshohet se bashkë me Orges Bilbilin kanë vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009.
Ndërkohë nga Policia e Qarkut Fier u pohua se për ngritjen e akuzës ndaj tij ka ndihmuar e ëma e viktimes e cila njohu 20-vjecarin Bilbili si vrasësin e te birit. Zyrtarisht policia deklaroi se vrasja e Lalës ka lidhje me disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në qytetin e Lushnjes vitet e fundit. Megjithatë nuk u bë specifikimi i tyre për shkak të hetimeve.
Orges Bilbili është dënuar me 7. 4 vjet burgim për trafikim lëndësh narkotike dhe është shpallur nga policia person në kërkim si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato për drogën e Divjakës.
Sakaq, Laert Haxhiu doli nga burgu për vrasjen në fund të 2014-ës, ndërsa u arrestua sërish në Qershor të vitit 2015 për trafik heroine gjatë operacionit të koduar “Smart”.
Në momentin e arrestimit, Laert Haxhiu tentoi të arratisej me këmbë dhe u hodh nga një mur i lartë 4 metra, ku theu këmbën. Në momentin e prangosjes, ai i tha policisë se u largua pasi mendoi se ishin njerëzit e Aldo Bares që e ndiqnin dhe u frikësua.
Haxhiu kishte një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se bënte edhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Tetë muaj para arrestimit, Laert Haxhiu kishte dalë nga burgu për vrasjen e shokut të Aldo Bares, Gerti Lala me nofkën “Iriqi”.