Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, është vënë në qendër të kritikave këtë të hënë nga kryeministri Edi Rama, i cili e akuzoi publikisht për mbylljen e një çështjeje të ngritur nga Policia e Shtetit lidhur me ndërtimin e një “fshati turistik” në Theth.

Sipas kryeministrit, Gjeli ka vendosur të mos çelë hetim për ndërtimin e disa shtëpizave prej druri dhe një piste betoni ndodhur përballë kishës ikonike katolike të Thethit – një prej atraksioneve më të njohura turistike në zemër të Alpeve. Rama e cilësoi të pajustifikuar vendimin për arkivimin e denoncimit dhe e quajti “bekim për një kriminel”, faktin që çështja nuk u ndoq penalisht.

Pas deklaratës së Ramës, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, njoftoi ndërhyrjen e IKMT-së dhe të Policisë Bashkiake për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Thethit.

“Tani, çfarë borxhi i kanë zonjës Gjeli Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e ndershëm dhe punëtorë të zonës, turistët, vizitorët, dhe të gjitha forcat që janë angazhuar sot për shembjen?”, deklaroi Rama, duke paralajmëruar edhe përfshirjen e Ministrisë së Drejtësisë në rast.

Elsa Gjeli, e cila përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2024, është emëruar si prokurore e Shkodrës më 25 korrik të po këtij viti. Ajo është një ndër magjistratet më të reja në sistem, me vetëm pak ditë përpara përvjetorit të parë në detyrë.

Në sistemin disiplinor nuk rezulton të ketë ndonjë masë apo vërejtje ndaj saj, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Ministria e Drejtësisë, nën drejtimin e Ulsi Manjës, do të ndërhyjë në këtë rast apo do ta lërë të mbyllet në heshtje.